Gripi i shpendëve në Shqipëri/ Bino: Rrezik i ulët për njerëzit, ushqimet të gatuhen mirë
Pas konfirmimit të tre vatrave me gripin e shpendëve edhe në Shqipëri, ekspertët flasin për ndikimin e virusit në shëndetin publik. Shefja për sëmundjet infektive, Silva Bino sqaron popullatën se rreziku nga H5N8 është i ulët dhe se produktet e shpendëve mund t’i konsumojnë, por pasi të jenë gatuar mirë.
Gripi i shpendëve H5N8, i konfirmuar tashmë edhe në Shqipëri, ka rrezik të ulët për shëndetin publik. Sipas të dhënave nga agjensitë europiane, deri tani nuk ka patur prekje në njerëz, me përjashtim të tre rasteve në Rusi, të cilët kanë forma të lehta.
Bino deklaron se ky virus nuk është si llojet e tjera që qarkulluan vite më parë. Ajo këshillon popullatën që produktet e shpendëve t’i konsumojnë, por pasi t’i kenë gatuar mirë. Gripi i shpendëve H5N8 është i përhapur thuajse në të gjithë Europën, por ajo që është e rëndësishme, sipas ekspertëve, është se ky virus nuk tranmetohet nga njeriu tek njeriu.