Gripi po përhapet me ritme të shpejta. Shtohen rastet e rënda te të gjitha moshat

Ndonëse shumë vende janë alarmuar për shkak të koronavirusit, mjekët tanë infeksionistë u bëjnë apel qytetarëve të ruhen më shumë nga gripi se sa nga virusi i ri.

Shqipëria po i afrohet pragut të epidemisë së gripit, pasi edhe sipas Institutit të Shëndetit Publik ka një rritje të shpejtë të rasteve të prekura nga viruset e gripit. Në fakt kjo rezulton edhe në kopshte, çerdhe, ku numri i fëmijëve dhe nxënësve që i frekuentojnë është përgjysmuar për shkak se janë prekur nga gripi dhe viroza të shumta që qarkullojnë.
Por, siç duket edhe në grafikun e Buletinit të ISHP e cila i referohet javës të katërt të janarit, pra 20 deri në 26 janar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i të prekurve është rritur me 4%, pra pothuajse 700 raste më shumë.

Ndërkohë që jemi në javën e parë të shkurtit dhe numri i të prekurve është edhe më i lartë por pragu i epidemisë njoftohet vetëm nga ISHP. Ajo që vihet re në këtë javë është shtimi I rasteve të rënda si tek fëmijët e vegjël ashtu edhe tek të rriturit. Kjo duhet të jetë një këmbanë alarmi për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të marrë masat dhe në urgjencën e pediatrisë të ofrojnë shërbim vetëm dy mjekë duke lënë fëmijë të vegjël të menaxhojnë temperaturë 39 gradë në oborr të spitalit për shkak të radhëve të gjata që krijohen.

SHKARKO APP