Grisejda Myslimi: Programi ekonomik i LSI-së ofron një mbështetje reale ndaj sektorit fason
Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi këtë të enjte një tryezë për industrinë fasone në Vlorë.
Gjatë fjalës së saj, kandidatja për deputete e kësaj force politike Grisejda Myslimi deklaroi se Programi ekonomik i LSI-së ofron një mbështetje reale ndaj sektorit fason, si një sektor kyç për punësimin në vend.
“Unë jam më e reja në moshë këtu, megjithatë e njoh problematikën, sepse e njoh Gjergjin, të cilin e kam mik familje, po ashtu edhe sepse problemet lidhur me fasonerinë janë bërë të përditshme. Gjatë këtyre ditëve unë kam zhvilluar disa takime me fasoneristë në Vlorë, dhe ajo që kam vënë re është se kjo është një industri në krizë dhe e pa strukturuar, dhe në qoftë se nuk merren masa që këto probleme të zgjidhen, mendoj që kjo industri do të shkojë drejt falimentit.
Ajo pyetje që më vjen ndërmend është që në qoftë se problemet në lidhje me fasonistët mund të zgjidhen dhe përgjigja është: Po.
Pyetja tjetër që lind është se s mund të zgjidhen këto probleme? Dhe përgjigjen e zgjidhjes së këtyre problemeve unë e kam gjetur në programin ekonomik të LSI-së, pikërisht në pjesën që flet për industrinë fasone. Këtë program ju e keni të afishuar, megjithatë unë do vë në dukje disa pika që mund më janë dukur më të rëndësishme.
E para gjë që duhet bërë dhe që për mendimin tim është krejtësisht e realizueshme nga qeveria e ardhshme është ristrukturimi i kësaj industrie me investime të inkurajuara dhe të mbështetura nga shteti shqiptar për të shëruar nga kriza e thellë që ka zënë këtë industri. Pra, ne do të marrim përsipër që të vendosim në dispozicion të industrisë fasone në dy vitet e para të qeverisjes sonë një fond prej 30 milion eurosh.
Së dyti, modernizimi dhe certifikimi i produkteve Made In Albania, që në këndvështrimin tim është tepër i rëndësishëm sidomos pas situatës së pandemisë.
Së treti, një tjetër gjë që mund të bëhet është orientimi i tenderimeve publike drejt produkteve vendase. Në qoftë se tenderimet e këpucëve dhe veshjeve do të orientoheshin drejt prodhimit vendas dhe nuk do të vinin nga Kina apo nga Turqia, mendoj që industria fasone nuk do të ishte në këtë krizë financiare ku ndodhet sot.
Ne kemi mundësi reale që me grante dhe me kredi të buta të mbështesim këtë sektor në shembullin e eksperiencave më të mira botërore, sepse jemi të bindur që mbështetja financiare dhe me politika konkrete për këtë industri është një investim me efektivitet, është një shpenzim buxheti për të krijuar një vlerë të shtuar, që futet në të gjithë ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë ajo jo vetëm rrit GDP-në e vendit, por edhe pagat e punonjësve, në mënyrë që edhe personat që punojnë në këtë industri, të kenë paga dinjitoze”, u shpreh Grisejda Myslimi.
Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaroi se Programi i LSI-së për fasonët garanton një mbështetje për këtë sektor, si gjenerator punësimi në vend.
“Së pari, LSI dhe veprimtarinë fasone i lidh një histori e gjatë dhe e sinqertë. Në një aksion që nuk ka pasur asnjë precedent më parë, në vitin 2014 grupi parlamentar i LSI-së, i gjithi, ka vizituar rrethe të tëra të Shqipërisë, për javë e javë të tëra, për të evidentuar një seri problemesh shumë serioze që industria kishte në përballje me to, e për të cilat u ndërtua edhe një paketë, e cila sigurisht nuk ishte shteruese, por ishte një paketë, e cila kthente disa përgjigje lidhur me këtë industri.
Për fat të keq Rilindja nuk e mbajti fjalën, megjithëse paketa u detajua dhe u diskutua në mënyrë shumë intensive, ndërkohë që ishte e plotë dhe të gjitha partitë e tjera politike nuk kishin asnjë interes të veçantë për këtë gjë, dhe vazhdojmë të kemi të njëjtën qasje prioritare dhe shumë të sinqertë. Ju e keni parë që ne kemi bërë gjithçka. Përplasja jonë atëherë me Edi Ramën ka qenë shumë e fortë për shkak të pengesave që krijoheshin për të mbështetur industrinë fasone.
Sot unë konstatoj edhe një vullnet mjaft të mirë nga Partia Demokratike dhe mundësitë janë 100 për qind për tu realizuar dhe për të ecur përpara. Megjithatë, meqenëse pjesëmarrësit e nderuar të industrisë ndodhen këtu, vendas dhe të huaj, në radhë të parë mirënjohje pa fund për pjesëmarrjen në takimin tonë.
Dhe së dyti disa nga momentet, të cilat ne i kemi bërë publike, të cilat janë angazhime politike tonat, pra programi ynë për industrinë fasone, në mënyrë shumë të përmbledhur po i ndaj sërish me ju, duke i shprehur po ashtu të gjithë mirënjohjen medias e cila ndodhet këtu sot për përcjelljen dhe për dashamirësinë për të ardhur dhe për të pasqyruar takimin tonë, por këto pika janë shumë të rëndësishme.
Së pari, ristrukturimi i fazuar i industrisë fason sipas kërkesave të tregut vendas dhe konjukturave të reja të tregut ndërkombëtar. (Investime në teknologji, në prodhim imputesh, knoë-hoë), duke akorduar një mbështetje dhe një subvencion prej 30 milionë euro në 2 vitet e para të qeverisjes;
Së dyti, mbështetja e industrisë fason për të kaluar në produktin e integruar Made in Albania. (Dizajn, brande, marketing, promocion produkti dhe panaire, certifikime dhe mbështetje institucionale), e cila kërkon një mbështetje prej 20 milionë euro të shpërndarë në katër vjet;
Së treti, mbështetja tek prodhimi vendas duke konsumuar produkte vendase fillimisht entet publike që prokurojnë veshje dhe këpucë. Pra, kemi parasysh tenderët dhe prokurimet publike për veshje e këpucë për gjithë periudhën e qeverisjes, ndërkohë që këto produkte janë të nivelit evropian, me çmime shumë kompetitive dhe njëherazi i jepet një spunto, njëherazi edhe punësimit dhe rritjes së nivelit ekonomik të vendit.
Së katërti, mbështetja me grande e fonde të Bashkimit Evropian, në bazë të projekteve, duke përdorur një analogji mënyre të zhvillimit të tyre, ashtu sikurse funksionon sot AZHBR-ja, duke përdorur pra praktikat më të suksesshme, më të shpejta dhe më të drejtpërdrejta.
Së pesti, heqja dhe lehtësimi i barrierave doganore për lëndët e para, për prodhimet e destinuara për prodhimin vendas.
Së gjashti, krijimi i instrumentit garantues dhe realizues për këtë qëllim dhe për të gjithë këtë veprimtari që do ishte Agjencia e Industrisë veshje-këpucë. Agjenci kjo e veçantë, operative, për implementimin dhe monitorimin shumë të kujdesshëm dhe efektiv të këtij programi në të gjashtë komponentët që ne parashtruam.
Mbështetja financiare me politika konkrete për këtë industri është një para e investuar me efektivitet, është një shpenzim i buxhetit dhe investim për të krijuar vlera të shtuara që futen në ekonominë e vendit dhe sjellin një rritje të GDP-së dhe të të punësuarve.
Nuk mund të anashkaloj kurrë faktin që industria fasone, si gjenerator punësimi dhe si mundësues punësimi edhe për shtresat e popullsisë që e kanë të pamundur arsimin e gjatë dhe arsimin e plotë, por duke i trajnuar dhe duke i mësuar, u jep elemente profesionale të rëndësishme, të cilat i nxjerrin ata në tregun e punës. Kjo industri u jep atyre një mundësi që nuk ua jep asnjë industri tjetër.
Mundësitë e zgjerimit të punësimit në rast se industria i merr të gjithë stimujt e duhur mund të kalojë mbi 100 mijë të punësuar dhe kjo është plotësisht e mundshme konsideruar edhe zhvillimet e tjera rajonale dhe botërore. Pra, ka një potencial të jashtëzakonshëm.
Për ta mbyllur do thosha që, më shumë se sa në Vlorë nuk kemi se ku të shikojmë mundësi të tjera, jo vetëm për mundësitë që të ofron, por edhe lidhja me detin në njërën anë, mundësia e komunikimit, lidhja me rrugë, nevoja për punësim pasi papunësia është tepër e lartë. Shpopullimi është i jashtëzakonshëm. Duhet të dini që me mijëra shqiptarë ikin jashtë për të bërë punë që janë afërsisht të ngjashme me fasonizmin, ndërkohë që fillojnë të jetojnë të izoluar, në një botë që nuk e njohin, ndërkohë që me zhvillimin e kësaj industrie këtu, i jep edhe asaj frymëmarrje që edhe ajo të ketë mundësi të rrisë më shumë pagat dhe të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një industrie gjithmonë e më të konsoliduar që gjeneron punësim, paga të mirë paguara dhe njëkohësisht motivon mijëra shqiptarë që të punojnë e të jetojnë këtu.
Njëkohësisht edhe për shumë familje të varfra pagat që kanë marrë familjet e tyre në industrinë fasone, kanë qenë paga të nevojshme për mbijetesën e tyre familjare. Pra, sektori nuk mund të shikohet thjesht si një industri, por edhe me një impakt social shumë të fortë në mijëra e mijëra familje që e përfitojnë”, u shpreh nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
Gjatë fjalës së tij, hartuesi i programit ekonomik tw LSI-së Edmond Haxhinasto deklaroi se Vizioni i LSI ka qenë dhe mbetet i qartë për sa i përket transformimit dhe ristrukturimit të këtij sektor të rëndësishëm të ekonomisë sonë!
“Falënderoj të gjithë të pranishmit në këtë tryezë. Takimin e sotëm ne si LSI e organizojmë duke pasur parasysh masat anti-covid, ndaj ju falënderoj për këtë durim dhe respektim të protokolleve. Është një takim që ne e organizojmë pas takimit që kemi bërë në Berat me përfaqësues të industrinë fasone edhe atje.
Industria fasone është e shtrirë në të gjithë vendin. Problematika është e njëjtë, por edhe vizioni për ta transformuar dhe ristrukturuar këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë sonë është gjithashtu i njëjtë.
Ne kemi ndarë që në fillimin vizionin me vlerësimin që industria ka përsa i takon problematikës së madhe për humbjet e mëdha të vendeve të punës që kanë ndodhur veçanërisht gjatë pandemisë, ku janë mbi 25 mijë vende pune. Vështirësitë e mëdha që ka pasur çdo operator, çdo punëdhënës në këtë industri. Rreth 1/3-a e tyre është duke mbijetuar me vështirësi, duke i bërë ballë falimentimit. Po kështu ka pasur edhe një humbje të jashtëzakonshme përsa i takon realizimit të të ardhurave, ku janë mbi 130 milion euro humbje në këtë periudhë dhe vështirësia është akoma akute. Sot kemi vështirësi të cilët duhet të përballohen dhe përballemi me një mungesë vizioni, plani, projekti nga ana e mazhorancës, gjë që do të marrë fund më 25 prill.
Mbështetjen për industrinë fasone ne e shikojmë jo si një çështje vetëm të mbajtjes së njerëzve të punësuar, po e shikojmë në kuadër të një vizioni më të gjerë të ristrukturimit të ekonomisë shqiptare drejt prodhimit, drejt rritjes së të ardhurave për çdo të punësuar, drejt përmirësimit të bilancit të import – eksporteve. Pra, e shohim në kompleks dhe si një sektor i cili ka edhe një potencial, që nuk është shfrytëzuar akoma.
Po kështu, ne e shohim edhe në kuadër të potencialit që kanë tregjet evropiane për të thithur mallrat shqiptare, sigurisht në një kategori dhe në një segment të respektuar të tregut evropian.
Për të gjitha këto ne realizojmë këtë takim. Unë jam i bindur që do të paraqitet nga përfaqësuesit e industrisë edhe plani që tashmë mbështetet plotësisht nga ana e LSI-së, kjo mbështetje është shprehur që në takimin e Beratit nga kryetarja e LSI, znj. Kryemadhi. Z. Vasili gjithashtu në emër të LSI-së ka paraqitur me detaje të gjithë zërat me të cilat ne e mbështesim këtë plan”, u shpreh Edmond Haxhinasto.