“Gruaja doli pozitive me Covid, nuk u kontaktua kurrë nga ISHP”, ish-deputeti i PD ngre shqetësimin për kostot e ilaçeve: E tmerrshme!
Ish-deputeti i PD, Endri Hasa ishte i ftuar në studion e Fax News ku komentoi situatën e koronavirusit në vendin tonë duke thënë se janë 10-fish më të larta se ato që raportohen çdo ditë nga Ministria e Shëndetësisë. Para disa kohësh, Hasa u infektua me Covid dhe ia doli të mposhte sëmundjen pa komplikacione, por akuzon qeverinë për kostot që nuk i mbulon, të cilat i cilëson “të tmerrshme”.
“302 rastet janë inekzistente, 10-fish ka. Rastet janë minimalja. Po fusin këto ditë dhe testet që po bëhen në privatë. Ka njerëz që nuk i bëhen kurrë teste. Jam një ndër ato njerëzit që e kanë kaluar Covidin, i di edhe sikletet. E kam kaluar familjarisht. Kostot për Covidin janë të tmerrshme. Njerëzit në nevojë i kanë të papërballueshme. Mua mu dha mundësia të bëja testin për familjen në strukturë private kur kishte dyshime se kishim pasur kontakte. Fatmirësisht e kaluam, po ata që nuk kanë mundësi”, tha Hasa.
Hasa tregoi historinë e bashkëshortes së tij, e cila doli pozitive me Covid nga testi që kreu në një spital privat, por nuk u kontaktua asnjëherë nga ISHP si person i prekur. Sipas ish deputetit të PD, politika për testet në vendin tonë nuk ekziston pasi paratë shkojnë tek inceneratorët për të mbushur xhepat e oligarkëve.
“Prandaj duhet një politikë për testet. Ku do shkojnë lekët? Tek inceneratorët se shkojnë në xhepat e qeveritarëve. Pse nuk ka sot testime në të gjithë Shqipërinë, përse kufizohen vetëm në Tiranë? Ti japim mundësinë njerëzve të shërohen. Shqiptarët po tentojnë të shërohen vetë. Ju garantoj unë. Kam pasur bashkëshorten time, doli asimptomatike, doli me Covid me test të bërë në institut privat, nuk u kontaktua kurrë nga ISHP. Testi i saj nuk u bë kurrë në ISHP. Teorikisht testet shkojnë atje, ku ngel? Ngel tek përgjegjshmëria e secilit që të izolohet dhe të djegë procedurat. Shumë njerëz nuk i paguajnë dot faturat e ilaçeve dhe ky është fakt”, tha Hasa.