Gruevski: Kumanova, suksesi i fundit i Mijallkovit dhe Jankullovskës

 

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e ka quajtur suksesin e fundit të ish-Ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ish-Shefit të Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, operacionin policor të kryer në lagjen e “Trimave” në Kumanovë fundjavën e kaluar.

Në seancën parlamentare ku Ministrat e rinj të propozuar prej tij u votuan edhe nga deputetët shqiptarë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Gruevski, shpjegoi edhe dorëheqjet e dy bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Gruevski: “Nën udhëheqjen e tyre u pa se si mbrohen interesat e qytetarëve të Maqedonisë, ndërsa suksesi i tyre i fundit ishte aksioni policor në Kumanovë i realizuar me shumë sukses. Ata ishin therrë në sytë e çdo krimineli, të brendshëm dhe shërbime të huaja”.

Në arsyetimin e dorëheqjes, Ministrat Jankullovska dhe Janakievski ashtu si edhe Mijallkov, thanë se i japin me qëllim që të parandalojnë thellimin e krizës politike edhe pse bombat e opozitës vazhdojnë t’i konsiderojnë montime.

Ndërsa lideri i opozitës, Zoran Zaev, tha se pret dorëheqje edhe nga ana e Ministrave të BDI-së, edhe pse kjo e fundit ka deklaruar se nuk largohet nga qeveria.

Vendimi për largimin e dy Ministrave dhe Shefit të Shërbimit Sekret është përshëndetur nga Parlamenti Europian dhe Ambsada amerikane në Shkup.

Por ndërsa amerikanët janë treguar më të përmbajtur, duke i quajtur dorëheqjet një hap pozitiv në zgjidhjen e krizës, nënkryetari i Parlamentit Europian, Aleksandar Grad Lamsdorf, përmes një deklarate zyrtare, i ka kërkuar kryeministrit Gruevski të japë edhe ai dorëheqjen, pasi kështu do të kontribuonte në frenimin e përshkallëzimit të situatës dhe uljes së tensioneve.

Me shtysë të ndërkombëtarëve, pritet që nesër të ketë një takim mes Gruevskit, Zaevit dhe dy kryetarëve të partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Propozimi që ky takim të mbahej me ndërmjetësimin e Presidentit George Ivanov, është kundërshtuar nga BDI, e cila nuk e njeh Presidentin e shtetit.

Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar nga Bosnja, se vizita e tij në Tiranë më 27 maj, po bëhet edhe për të shmangur një tjetër Kumanovë.

Vuçiç: “Është e rëndësishme që secili nga shtetet tona të investojë në paqe dhe stabilitet në rajon, për të mos ndodhur më ajo çfarë ngjau në Kumanovë”.

SHKARKO APP