Grupi “Alibasha”, çfarë roli ka Basha? Alibeaj befason me komentin e tij
Sali Berisha, kreun e grupit parlamentar të PD, Enkeljed Alibeaj, i ka vënë një nofkë publike dhe e quan shpesh ”Alibasha”. Në një intervistë në RTSH, Alibeaj tha se nuk ka asnjë rëndësi për të se çfarë thotë Berisha, ndërsa i pyetur sesa ndikim ka Basha, ai theksoi se nuk ka asnjë ndikim.
Zoti Alibeaj, çfarë ndikimi ka zoti Basha tek ju personalisht dhe tek grupi. Konsultoheni, komunikoni, i merrni vendimet bashkë?
Alibeaj: Unë flas me të gjithë anëtarët e grupit parlamentar që bëjnë jetë parlamentare, mblidhemi në grup. Zoti Basha ka gjetur një zgjidhje që të jetë pak më I tërhequr dhe kjo është zgjedhja e tij.
Ka ai ndikim në vendimmarrjen tuaj?
Alibeaj: Jo! Çfarëdo lloj vendimmarrje e grupit është e konsultuar me këdo nga anëtarët e grupit që vjen, merr pjesë dhe bën jetë parlamentare.
Pse është krijuar perceptimi që ky është grupi i Bashës?
Alibeaj: Besoj është në ndikimin dhe sigjerimin e zotit Berisha dikur.
Edhe tani, sepse ai ju drejtohet juve si “Alibasha”.
Alibeaj: Qoftë edhe për këtë arsye. Kushdo që mund të abuzojë, ka lirinë për të abuzuar, po qendrimet e mia janë qendrime të miat. Mund t’ju kujtoj që jam ai që kam patur përplasjet dikur me zotin Berisha, edhe me zotin Basha, por ama ç’është e drejtë, është e drejtë. Negociatë, kompromis me qendrimet e mia unë nuk bëj dhe nuk kam për të bërë asnjëherë.