Grupi BALFIN, memorandum bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave të Natyrës
Grupi BALFIN vendos një urë të re komunikimi me institucionet e arsimit të lartë. Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, Prof. Dr. Spiro Drushku, zhvilloi një takim me Drejtoren Ekzekutive të Grupit BALFIN, Edlira Muka, gjatë të cilit zyrtarizuan edhe këtë hap të ri.
Memorandumi i bashkëpunimit krijon hapësirën e nevojshme që kompanitë e Grupit BALFN të mbështesin Fakultetin e Shkencave të Natyrës për një proces akademik sa më cilësor për studentët dhe pedagogët, njëkohësisht edhe në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
Dekani i këtij Fakulteti çmoi gatishmërinë e Grupit BALFIN për të qenë pranë universiteteve dhe pohoi interesin e studentëve për t’u përfshirë në aktivitetin e kompanive, si edhe vlerën që më të mirët e biznesit mund të sjellin për edukimin. “Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës është pjesë e katër programeve me prioritet kombëtar. Marrëdhënia e frytshme e tij me shoqëritë tregtare e bën më të denjë pozicionimin e institucionit dhe studentëve përballë partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si edhe ndihmon zhvillimin e qëndrueshëm,” shtoi Prof. Dr. Spiro Drushku.
Edlira Muka theksoi se memorandumi i bashkëpunimit vjen pas përvojave të para me praktikat e studentëve në kompanitë e Grupit BALFIN dhe kontributit në infrastrukturën e këtij institucioni. Gjatë këtij viti, Grupi BALFIN ka pajisur me mjete të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit katër laboratorë të fakultetit, nëpërmjet programit të vet B4Students, i cili i kushtohet posaçërisht edukimit. “Drejtuesit e kompanive tona ndajnë ekspertizën praktike në auditorët e universiteteve, duke u fokusuar në fushat me ndikim më të madh në të ardhmen e shoqërisë. Ne do të vazhdojmë shkëmbimin e praktikave më të mira, për të arritur tek nxitja e kërkimit të mirëfilltë shkencor dhe madje te konsulenca për kurrikulat akademike”,-u shpreh ajo.
Grupi BALFIN është gati t’u krijojë studentëve mundësi të integrohen në strukturat e veta të biznesit në industritë e ndryshme të tij, por njëkohësisht të ndihmojë përmbushjen e synimeve të atyre studentëve që kërkojnë karrierë profesionale në vendet e tjera ku ka aktivitet. Mbështetja e edukimit përbën një nga drejtimet e përgjegjshmërisë sociale të Grupit BALFIN, edhe me vëmendjen e veçantë të Presidentit të tij, Samir Mane.