Grupi i Berishës dhe Alibeajt në garë për heqjen e mandatit si deputete ministres Xhaçka

Grupi që mbështet Sali Berishën dhe grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn, janë në një garë se kush nga ata do të arrijë që ministres Olta Xhaçka ti hiqet mandati si deputete. Deputeti Agron Shehaj që është pjesë e grupit të Berishës, njoftoi nga selia blu nisjen e mbledhjes së firmave për t’iu drejtuar Kushtetueses për mandatin e Xhaçkës.

Edhe deputetët që janë me Alibeajn, si Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja, Merita Bakiu, Emilja Koliqi, Ferdinand Xhaferri, Ilda Dhori, Arbi Agalliu, Saimir Korreshi, Orjola Pampuri, Selaudin Jakupllari, Zheni Gjergji, Flamur Hoxha dhe Dashnor Sula, i kanë kërkuar Kuvendit ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për Olta Xhaçkën.

Në mocion sqarohet se kompania e krijuar menjëherë pas miratimit të ligjit për investimet strategjike AG. TCC shpk në pronësi të bashkëshortit të ministres dhe deputetes Olta Xhacka, ka përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli disa katësh me 5 yje në një sipërfaqe zhvillimi prej 10,592 m² dhe me vlerë rreth 5,5 milion euro, në Gjilekë, Bashkia Himar.

“Dhënia e pasurisë publike për qëllime fitimi dhe ushtrimi të veprimtarive fitimprurëse, është bërë në shkelje flagrante të ndalimeve kushtetuese dhe ligjore, që ndalojnë deputetin dhe për efekt të ligjit bashkëshortin e tij, të përfitojë pasuri të shtetit apo të kryejë veprimtari fitimprurëse që burojnë nga pasuritë e shtetit. Ky fakt përbën shkelje të rëndë të ligjit, që pastaj sjell mbarimin/pavlefshmërinë e mandatit të deputetit, sipas neneve 70/2-3 dhe 71/2/c të Kushtetutës”,-thuhet në mocionin e dorëzuar nga deputetët e PD.

SHKARKO APP