Grupi i të paraburgosurve të Kumanovës kërkon ndihmë

 

Grupi i të paraburgosurve të Kumanovës kanë kërkuar ndihmë sepse nuk po ndjehen të sigurt dhe nuk kanë kushte normale në burgjet e Prilepit dhe Manastirit.

Avokati i tyre Naser Raufi ka theksuar se të paraburgosurit janë në gjendje jo të mirë dhe janë të vendosur në kushte të papërshtatshme. Ata janë të vendosur nëpër qeli të veçanta apo me nga dy veta, me kushte katastrofale.

“Kërkesa jonë është që të reagojnë edhe institucionet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të shohin gjendjen e tyre. Kërkohet një trajtim më i mirë dhe përkujdesje mjekësore, për shkak se disa nga të paraburgosurit akoma kanë probleme shëndetësore”, theksoi Raufi.

Për gjendjen e rëndë të të paraburgosurve të grupit të Kumanovës flasin edhe familjarët e tyre, që kanë kërkuar përkujdesje edhe nga ambasada e Kosovës, e cila duhet të jetë në kontakt me shtetasit  e tyre dhe ti informoj për fatin e tyre.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm të respektohet ligji dhe konventat ndërkombëtare. Por dyshimet tona janë se ata ende po maltretohen nëpër burgje dhe se po vështirësohet mbijetesa e tyre”, theksoi për INA, një familjar.

Të arrestuarit që gjenden në burgun e Prilepit janë Demë Shehu, Muhamet Krasniqi – “Malisheva”, Valdet Zekaj dhe Nexhmedin Lika, kurse, në burgun e Manastirit janë  komandant “Sokoli” (Sami Ukshini), Ardijan Bujari dhe Shefqet Hallaqi. (INA)

SHKARKO APP