Grupi i trafikimit të emigrantëve, zbulohet roli i shoferëve që niseshin nga Shqipëria
Në sitën e SPAK-ut, nuk po kalojnë vetëm pushtetarët. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim në GJKKO 24 të pandehur, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale, si “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Në dosje thuhet se baza e aktiviteteve të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve nga territori Europian Shengen për në Britaninë e Madhe, gjendej në Kosovë (Prishtinë dhe Prizren) dhe në Tiranë. Bukurije Ahmetaj, Elvis Ahmetaj, Fatmir Qema, Eduard Haxhiu, Altin Memaj, Blerim Çoku, Azem Tanushi, Ariselda Memaj janë personat e akuzuar që mblidhnin migrantët shqiptarë klandestinë, i siguronin vendin se në cilën linjë transporti rrugore apo ajrore do të udhëtonin, i udhëzonin ata si të vepronin dhe kujdeseshin që migrantët të arrinin në destinacionet e duhura.
Emigrantët nga Shqipëria mbërrinin në vendet Europiane me pasaportat e tyre, ku atje strehoheshin në pritje të organizimit të kalimit për në Mbretërinë e Bashkuar me dokumentacion të falsifikuar. Zhvendosja nga një qytet në një tjetër bëhej nga shoferët shqiptarë dhe që e merrnin detyrën nga të akuzuarit këtu, për t’i akomoduar ata në vendqëndrime të përkohshme.