Grushtat në parlament, Gjykata e Lartë pushon dosjen “Strazimiri”, Ndreu kërkon falje

 

Gjykata e Lartë pushoi sot çështjen për deputetët socialistë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka të cilët u akuzuan për goditje për shkak të detyrës së deputeti demokrat Gent Strazimiri,  në korridorin e parlamentit.

Pas vendimit deputeti socialist Pjerin Ndreu kërkoi falje për gjaknxehtësinë por nënvizoi se ngjarja e ndodhur më 10 korrik të 2014 nuk përbënte shkak ligjor për të ndërtuar një fabul e për ta sjellë në gjykatë.

 Pjerin Ndreu: “Kërkoj falje por kurrsesi nuk përbën shkak ligjor për të ndërtur një fabul e për ta sjellë në gjykatë. E gjithë kjo orvatje ishte nul dhe cështja penale s’duhej të niste. Më vjen keq për autorët që e gatuan këtë histori. Vendi ka çështje e probleme më të thella dhe rrezikshmëri shumë më të madhe sesa këtë.  Janë ngjarje që kanë ndodhur dhe do ndodhin në të gjithë botën. “

Sipas vendimit të Kolegjit Penal të kryesuar nga Medi Bici, çështja është pushuar për procedurë pasi padia nuk është bërë nga personi i dëmtuar por nga grupi parlamentar.

Gjithashtu Pjerin Ndreu tha se po përpiqen ta lidhin me krimin por ai deklaroi se nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë lidhje të tillë.

Pjerin Ndreu“E di që jam person atraktiv dhe në qendër të vëmendjes për tu sulmuar por po ju deklaroj se as kam qenë as jam dhe as do jem kurrë në linjat e bashkëpunimit me krimin’

Në seancën e 20 majit Prokuroria e Përgjithshme kërkoi 1 vit burg për deputetin Arben Ndoka dhe 8 muaj burg për deputetin Pjerin Ndreu, por ky dënim kërkoi ta konvertonte në punë në komunitet, 150 orë pune për Ndokën dhe 80 orë për Ndreun.

Hetimet ndaj dy deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu nisën pas kallzimit të grupit parlamentar të PD me 14 korrik në Prokurorinë e Përgjithshme.

SHKARKO APP