Gurakuqi: Parlamenti, institucion njëpartiak dhe sektar
Ish-deputeti i PD-së, Romeo Gurakuqi thotë se Parlamenti është një institucion njëpartiak dhe sektar” që, sipas tij, vulos vendimmarrjet që merren në restorantet ku drekon kryeministri. “Parlamenti është një noter i vendimeve që kupola e PS-së merr për fatet e vendit. Parlamentarizmi sot është fiktiv dhe është për të ardhur keq që 100-vjetori i parlamentarizmit festohet me të tillë drejtues të klasës politike socialiste, që e shkatërruan atë”,-tha në ”A2cnn”.
Ish-deputeti demokrat shton se: Opozita po përpiqet të rikthejë legjitimitetin e Parlamentit, po punon ngushtë me faktorin ndërkombëtar për këtë. Opozita nuk mund të ishte fasadë dhe unë e konsideroj lënien e mandateve rrjedhë logjike të asaj që kisha deklaruar që në vitin 2015: sovraniteti i rrëzuar i Parlamentit”.
Në lidhje me tryezën e Reformës Zgjedhore, Gurakuqi theksoi se “Mazhoranca zgjodhi të vendosë në atë tryezë personin e akuzuar nga opozita pas përgjimeve të BILD (Damian Gjiknuri). PD-ja po i bindet, le të themi, ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe garancisë së dhënë prej tyre, për të shkuar drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”. Sipas Gurakuqit, “koha e Edi Ramës dhe këtij Parlamenti që po bën programe për festime ka marrë fund”.