Gushti i vrasjeve, 5 viktima në 12 ditë

Shqiptarët janë më të ekspozuar ndaj krimeve. Muaji gusht ka rritur edhe ngjarjet kriminale me pasoja të rënda për jetën. Në 12 ditët e para të këtij muaji janë shënuar disa ngjarje kriminale me pasoja tragjike, 5 të vrarë dhe 5 të plagosur. Krimet kanë pasur një shpërndarje gjeografike në të gjithë vendin, si në Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan dhe së fundmi në Mirditë.

Seria e vrasjeve do të fillonte në datën 1 gusht, ku në derën e banesës u ekzekutua me breshëri Feriz Bardhi. Një ditë më pas, krismat e armëve do të tronditnin Elbasanin, ku në qendër të qytetit ndodhi një plagosje e trefishtë me armë por fatmirësisht pa viktima. Në datën 6 gusht, në orët e pasdites do të ekzekutohej në lokalin e tij pranë plazhit, A.B Në të njëjtën ngjarje mbetën të plagosur djali dhe një i afërm i viktimës. Dy ditë më vonë krimi do të godiste jo shumë larg Vlorës. Mbrëmjen e 8 gushtit, në Selenicë u ekzekutua në rrugë D.T.

Seria e vrasjeve do të vazhdonte me mëngjesin e 12 gushtit, ku në afërsi të Fierit u gjet i vrarë me thikë në fyt dhe i hedhur në kanal 23-vjeçari F.S. Po në të njëjtën ditë, në qendër të Rrëshenit do të ekzekutohej me armë A.GJ. Një e përbashkët e këtyre ngjarjeve, me 5 të vrarë dhe 5 të plagosur, është fakti që për asnjërën nga këto krime nuk është arrestuar autori i dyshuar, ku në disa raste është identifikuar nga Policia dhe në disa të tjera nuk ka asnjë emër të dyshuar.

Krimet për pasojë kanë edhe një numër të lartë të personave që preken apo mbeten të dëmtuar nga veprat e ndryshme penale, si vrasjet, vjedhjet, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, plagosjet, mashtrimet, dhuna në familje e një sërë krimesh të tjera. Numri i personave që kanë mbetur të dëmtuar apo viktima të këtyre krimeve, ka pasur rënie me rreth 1000 persona po të krahasojmë vitin e kaluar me 2015-ën. Megjithatë, në tre vitet e fundit, nga 2016 deri në vitin 2018, disa nga krimet që prekin drejtpërdrejt jetën e njerëzve, kanë shënuar ulje domethënëse. Vrasjet janë ulur me 28%, vrasjet e mbetura në tentativë janë ulur me 13.6%, e po ashtu edhe vjedhjet e automjeteve janë ulur me 15.4%.

SHKARKO APP