Gushti muaji më i keq/Brataj: Pritet shtim i të prekurve, spitale Covid edhe në rrethe
Pandemia e Covid-19, duket se në vendin tonë do të agravojë edhe më shumë në muajin gusht. Covid-19 në kryeqytet ka kaluar në transmetim komunitar por qytetarët për kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, thotë se nuk janë ndërgjegjësuar për respektimin e masave mbrojtëse.
”Çdo lirim masash nga maji deri tani ka pasur pas 2-3 javësh pikun e të infektuarve dhe shtrimeve në spital dhe terapinë intesive. Edhe kjo periudhë është moment piku dhe do të vazhdojë për 2 javë patjetër”.
Brataj u bën thirrje qytetarëve të respektojnë dy masat kryesore, distancën fizike dhe mbajtjen e maskave. Sipas tij çdo lloj maske e përdorur si duhet nga qytetarët ndalon transmetimin e Covid-19.
”Që nga maskat kirurgjikale deri tek ato të bëra vetë janë të vlefshme dhe të mbrojnë në një përqindje të lartë. Janë e vetmja masë sot për sot, së bashku me distancimin fizik dhe ruajtjen e higjienës”. Nga fillimi i epidemisë janë prekur mbi 5 mijë qytetarë. Tirana është zona më e nxehtë e infeksionit dhe zyrtarisht ka mbi 1 mijë raste aktive, por edhe numrin më të madh të viktimave nga Covid-19.