Guvernatori i BSH, Sejko: Sektori bankar likuid, kreditë me probleme u ulën
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore, që u zhvilluan në Maltë.
Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në zhvillimin ekonomik të vendit. Politika monetare stimuluese, e ndjekur nga banka qendrore, ka dhënë një kontribut pozitiv në këtë drejtim.
Duke u ndalur në sektorin bankar, Guvernatori Sejko nënvizoi se ai karakterizohet nga nivele të mira likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmërie. Plani ndërinstitucional i veprimit për reduktimin e kredive me probleme, i ndjekur nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka dhënë efektet e tij pozitive dhe të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i kredive me probleme, deri në fund të vitit 2018, zbriti në 11.1 për qind. Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit.
Në këtë kuadër, ai theksoi se Banka e Shqipërisë mirëpret rishikimet periodike të shpërndarjes së kuotave dhe rritjen e kapitalit, të cilat synojnë përmbushjen e objektivave institucionale të Fondit. Guvernatori u ndal dhe në prioritetet e FMN-së dhe BB-së, si dhe në rolin e rëndësishëm të dy institucioneve në promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendeve në zhvillim. Gjithashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të Bankës Botërore po ndiqet me mjaft interes nga institucionet shqiptare.
Gjatë qëndrimit të tij në Maltë, Guvernatori Sejko dhe zëvendësguvernatorja e parë, Minxhozi, zhvilluan një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Maltës, Mario Vella. Temat e diskutuara ishin sfidat me të cilat përballen sot ekonomitë e vendeve të Konstituencës, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët në fushën e bankingut qendror.
KOHA JONË SONDAZH

