Guvernatori Sejko: Pasojat e tërmetit, efekt ngadalësues për ekonominë por të përkohshëm

Aktiviteti ekonomik në vend u godit nga tërmeti i datës 26 nëntor, por kjo goditje nuk ka dëmtuar trendin afatmesëm dhe afatgjatë të zhvillimit”. Ka qenë kjo deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko pasi Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare. Sipas Guvernatorit, pasojat e tërmetit pritet të kenë një efekt rezultant ngadalësues në rritje dhe në inflacion, por ky ngadalësim pritet të jetë i përkohshëm dhe i përqendruar gjatë vitit 2020.

Përditësimi i skenarit bazë të parashikimeve tona sugjeron se ritmi i rritjes do të përshpejtohet në afatin e mesëm. Ky përshpejtim pritet ta kthejë ekonominë në ekuilibër dhe inflacionin në objektiv brenda vitit 2021.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se niveli aktual i stimulit monetar vijon të mbetet i përshtatshëm.  Paralelisht me skenarin bazë, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rreziqet e kahut të poshtëm janë shtuar. Materializimi i tyre do të kërkonte një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare” deklaroi Guvernatori Sejko.

Fjala e Guvernatorit:

Inflacioni mesatar i tremujorit të katërt regjistroi vlerën 1.3%, duke shënuar rënie krahasuar me tremujorin paraardhës dhe duke mbetur poshtë objektivit tonë prej 3%. Rënia e normës së inflacionit pasqyroi rritjen më të ngadaltë të çmimeve të ushqimeve, një fenomen ky i pranishëm veçanërisht në muajin dhjetor. Ndërkohë, çmimet e artikujve të tjerë të shportës shënuan luhatje të pakta.

Në aspektin makroekonomik, normat e ulëta dhe nën objektiv të inflacionit pasqyrojnë rritjen ende të pamjaftueshme të pagave dhe të kostove të brendshme të prodhimit, inflacionin e ulët në partnerët tanë tregtarë, si dhe efektet prapavepruese të forcimit të shpejtë të kursit të këmbimit gjatë vitit 2018.

Efekti frenues i këtyre faktorëve do të zbutet gradualisht në afatin e mesëm.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare shënoi një rritje vjetore prej 3.8% në tremujorin e tretë, duke u përshpejtuar kundrejt gjysmës së parë të vitit dhe duke qenë në kahun e sipërm të pritjeve tona. Në terma sektorialë, ky përshpejtim u diktua nga sezoni i mirë turistik dhe reduktimi i efektit negativ të ardhur nga rënia e prodhimit të energjisë elektrike. Në terma të kërkesës agregate, ai pasqyroi rritjen më të shpejtë të konsumit dhe eksporteve, ndërkohë që investimet private shënuan rënie.

Zgjerimi i kërkesës agregate është shoqëruar me përmirësimin gradual të pozicionit ciklik të vendit gjatë katër viteve të fundit. Në përgjigje të këtyre trendeve, norma e papunësisë shënoi vlerën 11.4% në tremujorin e tretë, çka përbën dhe normën më të ulët historike të regjistruar në Shqipëri, ndërsa paga mesatare regjistroi një rritje vjetore prej 3.7%.

Megjithatë, rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit mbetet ende e pamjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv, çka dëshmon se ekonomia shqiptare është ende larg punësimit të plotë të kapaciteteve të saj prodhuese.

Informacioni i disponuar mbi zhvillimet ekonomike të tremujorit të katërt është ende jo i plotë. Analiza e të dhënave paraprake sugjeron se tërmeti i datës 26 nëntor pati një ndikim negativ në ritmin e rritjes ekonomike. Ky ndikim pritet të mbartet edhe gjatë vitit 2020. Dëmtimi i ambienteve të biznesit, rritja e pasigurisë dhe riorientimi i shpenzimeve drejt riparimit të dëmeve, pritet të materializohen në ngadalësim të prodhimit në disa sektorë, përfshi dhe turizmin. Nga ana tjetër, procesi i rindërtimit pritet të japë një efekt pozitiv në rritje, por ky efekt do të jetë më i vonë në kohë krahasuar me atë të goditjeve negative dhe as mjaftueshmërisht i fortë sa të kompensojë efektet e tyre.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar dhe përvojën botërore, Banka e Shqipërisë vlerëson se tërmeti nuk ka dëmtuar bazat afatmesme dhe afatgjata të rritjes e zhvillimit të vendit.

Riparimi i dëmeve dhe normalizimi i situatës do të ndihmojë në rigjenerimin e kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimin më të shpejtë të kërkesës agregate në vitin 2021, e në vazhdim. Rritja e punësimit dhe e pagave do të mbështesë zgjerimin e konsumit familjar, rritja e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve do të rrisë kërkesën për investime, ndërsa eksportet shqiptare do të vijojnë të përfitojnë nga zgjerimi i sektorit të turizmit.

Paralelisht me to, ambienti i përgjithshëm financiar paraqitet i favorshëm. Tregjet financiare janë relativisht të qeta, kostot e financimit janë të ulëta, ndërsa kursi i këmbimit paraqitet më i qëndrueshëm. Politika jonë monetare stimuluese, ristrukturimi i sektorit bankar dhe përmirësimi i bilanceve të tij, kanë nxitur një rritje më të shpejtë të kreditimit.

Portofoli i kredisë shënoi një rritje mesatare prej 7.8% gjatë tremujorit të katërt, i mbështetur nga zgjerimi i kredisë për biznese dhe i kredisë në lekë. Struktura e rritjes së kredisë jep sinjale inkurajuese, si për sa i takon ndikimit të saj në rritjen ekonomike ashtu dhe për cilësinë e portofolit të kredisë në afatin e gjatë. Në të njëjtën kohë, raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.4% në muajin dhjetor, duke pasqyruar masat konkrete të ndërmarra të nga Banka e Shqipërisë për reduktimin e tyre, si dhe përmirësimin e ambientit ekonomik dhe të gjendjes financiare të kredimarrësve.

Duke parë nga e ardhmja, Banka e Shqipërisë gjykon se ndikimi i tërmetit në ekonomi pritet të jetë i përqendruar në vitin 2020. Rritja ekonomike dhe inflacioni mesatar i këtij viti pritet të jenë në nivele të krahasueshme me normat e shënuara gjatë vitit 2019. Nga ana tjetër, tejkalimi i pasojave të tërmetit pritet t’i hapë rrugë një rritjeje më të shpejtë të ekonomisë dhe të inflacionit në periudhën pasuese.

Krahasuar me raundin paraardhës, projeksioni ynë bazë shfaq një lëvizje të dukshme në kahun e poshtëm për vitin 2020, por ruan të njëjtat trajektore për vitet 2021 e në vazhdim. Këto parashikime kanë një dozë të shtuar pasigurie, e cila lidhet në masën më të madhe me pamundësinë e parashikimit të saktë të ndikimit të tërmetit në rritjen ekonomike. Po ashtu, balanca e rreziqeve rreth parashikimit tonë qendror është e zhvendosur në kahun e poshtëm.

***

Duke gjykuar mbi këto parashikime, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në këto rrethana, ai vendosi:

-Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00%; dhe,

-Të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve do të kërkojë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare përgjatë gjithë horizontit afatmesëm.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se rreziqet e kahut të poshtëm mbeten të pranishme. Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku përmirësimi i ekonomisë së Eurozonës mbetet ende i brishtë, ashtu dhe nga ai i brendshëm. Në veçanti, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se rreziqet potenciale me ndikim të mundshëm negativ janë:

-Një intensitet më i fortë i efekteve negative të tërmetit në ecurinë e ekonomisë përgjatë vitit 2020 e në vazhdim. Ky skenar mund të materializohet nëse efektet psikologjike të tërmetit tejkalojnë ndikimin e tij material në ekonomi.

-Vonesa kohore në programin e rindërtimit, apo një mbështetje më e madhe e tij në burimet e brendshme të financimit.

Adresimi i këtyre rreziqeve mbetet atribut i strukturave të qeverisjes qendrore dhe vendore, por materializimi i tyre do të kërkonte një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës thekson nevojën e përshpejtimit të mëtejshëm të reformave strukturore, si instrumenti kryesor për gjenerimin e një rritjeje ekonomike të shpejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë, si dhe nevojën e ruajtjes së fokusit të politikave ekonomike drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të vendit.

SHKARKO APP