Habib Rexha rrëfen krimin, policia gjen pistoletën dhe ndalon shokun që e ndihmoi

Pas vrasjes që kreu në Kavajë të dielën, ku i mori jetën Arjan Gosës, në sytë e të atit të moshuarit, Habib Rexha u dorëzua të martën në Polici. Uniformat blu ka gjetur edhe pistoletën. Ka qenë pikërisht 31-vjeçari ai që ka treguar se ku e kishte fshehur armën. Habib Rexha ka treguar se pak pas ngjarjes i ka lënë me qëllim në këtë zonë, si makinën dhe armën, që të humbte gjurmët.

Autoritetet kanë ndaluar edhe 29-vjeçarin Ervis Kurti, kjo për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. I riu ka ndihmuar autorin e vrasjes që të largohej nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së krimit, duke e marrë në automjetin e tij.

Gosa u vra të dielën dhe u qëllua me plumb në kokë në sy të babait të tij, me të cilin kishte dalë për të pirë një kafe. Më pas Rexha u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë. Motivi pse 31-vjeçari ka ndërmarrë këtë akt të rëndë është hakmarrja. Dy muaj më parë, vëllai i Gosës dhe vëllai i tij u konfliktuan me njëri-tjetrin në mes të Kavajës dhe të dy mbetën të vrarë.

Armand Gosa u konfliktua me Altin Rexhën ku të dy humbën jetën, njëri i qëlluar me armë dhe tjetri me thikë. Pas një sherri për motive banale, Gosa qëlloi me thikë 43-vjeçarin Altin Rexha me origjinë nga Kukësi ndërsa ky i fundit iu përgjigj duke e qëlluar me një pistoletë që mbante me vete.

SHKARKO APP