Habit mjeku Allkja: Shifrat e raportuara sot për Covid janë të para një jave apo 10 ditëve
Mjeku i Urgjencës Kombëtare, Ilir Allkja, thotë se raportimet ditore për Covid nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë aktuale dhe nuk tregojnë një panoramë të orëve të fundit.
Nisur nga fakti se përgjigjia e tamponit kërkon 7-10 ditë kohë, ai thotë se edhe shifrat alarmuese të kësaj të marte janë të një jave apo 10 ditëve më parë.
Ilir Allkja: Numri i raportuar nuk është real jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende me sistem të përparuar dhe të zhvilluar shëndetësor. Numri i infektimeve që janë raportuar sot nuk janë të ditës së sotme dhe as të ditës së djeshme, janë të para një jave ose të 10 ditëve më parë. Përderisa rezultati i testimeve zgjat 7-10 ditë do të thotë se rezultatet që kanë dalë sot nuk janë të ditëve të fundit.Kjo konfirmohet lehtë. Shumë të sëmurëve dhe të dyshuarve ju mohohet testimi, nuk bëhen mjaftueshëm. Nuk testohen për shumë arsye që nga burokracitë deri te stigma. Ka njerëz që ende e kanë për turp të deklarohen se janë prekur nga virusi. Kur realisht kushdo mund të preket dhe sëmuret.
I ftuar në Rtv Ora, ai akuzoi qeverinë për propagandë me pandeminë, të cilës për fat të keq sipas tij i janë bashkuar edhe një pjesë e mjekëve.
Allkja: Kemi dy realitete, kemi propagandën që për fat të keq pjesë e saj anë bërë edhe disa mjekë. Ai që ka një leje ushtrimi të profesionit të mjekut duhet ti largohet propagandës dhe të përqafojë shëndetin. Nga ana tjetër kemi realitetin që e prekin të gjithë qytetarët. Spitalet të tejmbushura.Jemi një vend i varfër dhe i vjedhur, si i tillë nuk kemi si të kemi mjekësi të përparuar dhe shërbim modern. Para disa netësh isha unë dhe disa autoambulanca të tjera para spitalit Infektiv. Morëm një të sëmurë, gjendja e tij ishte mjaft e rëndë, e mbajtëm gjallë duke ndërruar bombolat me oksigjen në ambulancë.
Sipas mjekut, problemi kryesor në përballjen me të këtë virus mbetet numri i ulët i testimeve, i krahasueshëm sipas tij me vendet afrikane.
Allkja: Jemi vendet me numrin më të ulët për testimet në rajon, ne dalim më mirë se disa vende të Afrikës. Kryeministri mashtroi mbarë opinionin me spitalin Covid 4 ku tha se është i gatshëm me pajisje dhe staf. Nëse ka staf, spitalin mund ta improvizosh dhe me çadra.Ne për mjekë ja kalojmë Somalisë, jemi në kushte afrikane.