Habit socialisti Musa Ulqini: Portalet kanë larguar nga vendi vajzat e showbizz-it me shpifjet e tyre (VD)

Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini, një nga hartuesit e draftit për Paketën Anti-shpifje, ka njoftuar se deri në muajin prill 2020 me miratimin e ligjit të ri, të gjithë portalet online, duhet të depozitojnë informacion për burimin e parave tek Autoriteti i Mediave Audiovizive. I ftuar në studion e lajmeve në Report Tv, Ulqini tha se qytetarët janë cënuar nga portalet, ndaj ky ligj iu jep atyre të drejtën të ankohen tek Bordi i Ankesave.

Musa Ulqini: Autoriteti i Mediave Audiovizive ka të drejtën të bëjë investigime. Portalet deri në fund të marsit, dokument ku i kanë marrë paratë. Institucionet kanë të drejtë të bëjnë hetime. Ka raport të AMA-s për çdo vit. Gjobat për portalet s’do të jenë të njëjta për portalet dhe tv-të. Problem, mungesa e transparencës për financimin e portaleve. AMA e ka raportuar si problem. Ky problem nuk është më për mediat dhe radiot. Nëse ky sektor është zero, aty kemi të investigojmë, sa vetë janë e kush janë. Ok në rregull, kjo gjë duhet duartrokitur nga të gjithë. T’i detyrojmë të jenë transparentë. Të mos lejohet të jenë në të zezë gazetarët, por edhe e drejta e autorit. Të duartrokitet ky projektligj, se këto gjëra nuk janë të rregulluara. Këta nuk njohin asnjë detyrim ligjor. Qytetari ka të drejtë të bëjë ankesë, si s’paska të drejtë qytetari kur cënohet në të drejtën e tij.

Deputeti socialist u shpreh i ashpër kur tha se portalet në Shqipëri, kanë detyruar me shkrimet e tyre që qytetarët t’ja mbathin jashtë vendit për shkak të shpifjes. “Ka portale që kanë detyruar njerëz të ikin nga Shqipëria, kanë ikur njerëzit se kanë publikuar gjëra që nuk ka lidhje me të vërtetën.

Ndërhyn gazetarja Aida Tancica: Për kë e keni fjalën? Është shumë e rëndë kjo zoti Ulqini, nëse e thoni për konsum dakord por deklaratë…

Musa Ulqini: Ka portale të papërgjegjshme, kanë publikuar fakte që nuk kanë lidhje me të vërtetën. Për vajza dhe djem të rinj që janë qytetarë në Gramsh, në qytete të ndryshme.

Gazetarja Aida Tancica: Si si? Kjo është e rëndë…Keni rast konkret?  

Musa Ulqini: Këto janë gjëra të padiskutueshme, për çfarë publikojnë për njerëzit e showbizz-it, se çfarë publikojnë për politikanët, ka një raport tjetër mes të drejtës për privatësi dhe të drejtës për t’u sulmuar dhe vëzhguar. 

Deklaratat vijnë një ditë para se të kalojë në Kuvend paketa anti-shpifje. Komisioni i Ligjeve, miratoi dje në parim paketën e cila do të kalojë në Kuvend më 18 dhjetor, me disa ndryshime të papërfillshme, siç është përzgjedhja përmes konkurrimit, e Bordit të Ankesave, një këshill i cili do të ketë fuqi për të gjobitur dhe mbyllur portalet. Ndërkohë që tek “Media”, anëtarët vendosën të ulnin gjobën për portalet në maksimumi 4 milionë lekë të vjetra, por socialistët nuk tërhiqen nga ekzekutimi i gjobës para vendimit të gjykatës. Është kjo një nga pikat më të nxehta të paketës anti-shpifje, e njoftuar prej 2 vitesh nga Rama, me arsyetimin se mediat online duhet të funksionojnë në bazë të rregullave. Komuniteti i gazetarëve, intelektualëve dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kanë dalë kundër draftit, pasi sipas tyre bie në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Njeriut. Me këtë paketë, Shqipëria bëhet vendi i parë në Evropë që gjobit gazetarët me vendime administrative, dhe i jep fuqi të plotë AMA-s, si një gjykatë për mediat.

/dosja.al

SHKARKO APP