Hafizi: Mbajtja e zgjedhjeve universitare në 30 korrik, akt i padrejtë, penalizon studentët
Në një intervistë për Ora News, pedagogia Mimoza Hafizi tha se universiteti i Tiranës ka 4 vite që ndodhet në një sherrnajë të paparë, e cila e ka bllokuar institucion.
Lidhur me zgjedhjet universitare, ajo tha se përditë vijnë udhëzime nga rektori dhe nga komisioni institucional i zgjedhjeve, duke e bërë absurde situatën.
Mimoza Hafizi: Jemi në një proces zgjedhor që përditë na vijnë udhëzime nga rektori dhe komisioni i zgjedhjeve që është një absurd i madh. Universiteti i Tiranës ka 4 vite që ndodhet në një sherrnajë të paparë, e cila e ka bllokuar institucion dhe kështu na ka motivuar për të qenë pjesë e garës.
Unë po ndjek komisionin institucional zgjedhor që është miratuar nga senati i universitetit, por në udhëzimet që na vijnë përditë është edhe rektori që po krijon disa komisione të tjera, por unë po ndjek rrugën që po ndjekin kolegët e mi që kanë kandiduar. Por është e papranueshme që në një institucion kaq të lartë të arsimit të ndodhin të ndodhin përplasje të tilla për probleme fare elementare të funksionimit të jetesës demokratike.
Hafizi shtoi se zgjedhjet e 30 korrik janë një akt i padrejtë, pasi pengon një pjesë të mirë të studentëve të marrin pjesë.
Mimoza Hafizi: Unë e kam denoncuar mbajtjen e zgjedhjeve në datë 30 korrik nga Universitetet, si një akt i padrejtë, pasi pengon një pjesë shumë të rëndësishme të aktorëve që të marrin pjesë. Kryesisht pengon studentët që kanë ikur qysh në mars, pasi nuk lejohen që të vijnë në universitet, për të mos dendësuar fakultetet. Edhe studentët që janë me provime janë me kohë të pjesshme. Kjo periudhë dhe data e zgjedhjeve i penalizon shumë stafet akademike dhe studentët.
Unë jam duke bërë përpjekje që të gjithë aktorët ta ndjejnë përgjegjësinë që të marrin pjesë në këtë proces, ose përmes kandidimit ose përmes votimit, ose përmes të qenit pjesë e platformave të kandidatëve. Ajo që më shqetëson mua është dita e votimit, e cila nuk krijon kushte të përshtatshme që të ketë një pjesëmarrja masive.