Hajdari bën “avokaten” e socialistëve: PS është e hapur për ndryshim sistemi, opozita nuk do
Ndryshimi i sistemit ka përplasur kokë më kokë dy opozitat. Rudina Hajdari nga opozita parlamentare akuzoi opozitën politike jashtë Kuvendit se po bllokon ndryshimin e sistemit.
Sipas Hajdarit, opozita politike e ka kundërshtuar hapjen e listave ndërsa PS ka deklaruar se është e hapur për ta parë.
Hajdari: Ky debat ka ardhur me 51 mijë firma dhe më shumë.Nëse shkojmë drejt debatit kemi kohë mjaftueshëm për të ndryshuar apo jo Kushtetutën kemi zgjidhje për të dy variantet por duhet vullneti politik. Të mos bllokojmë atë variant që fuqizon qytetarët për të zgjedhur drejtëpërdrejtë deputetët e tyre. Duhet të kemi një parlament cilësor, të dëgjohet edhe zëri i qytetarëve, jo vetëm i kryetarëve.
Në çdo parti, po të shikoni listat ka vetëm servila. Duan njerëz që mund ti menaxhojnë jo që kanë një mendim të pavarur. Ftoj partitë opozitare që duan ndryshim në këtë vend jo vetëm të bëjnë video dhe të vjedhin kauzat e të tjerëve, as të dalin në sheshe e ulërasin kot, por të mbështesin hapa konkrete që u japin të drejtë qytetarëve të zgjedhin deputetët e tyre në mënyrë të drejtëpëdrejtë.
Hajdari tha se mbetet e vendosur në këtë kauzë dhe nuk do të lëshojë pe në këtë drejtim.
Hajdari: Do ti qëndroj kësaj kauze deri në fund, nuk lëshoj asnjë cm.