Hajdari bisedë “online” me Kim: I shpreha shqetësimin se ndryshimet e Kodit Penal cenojnë Kushtetutën
Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari ka zhvilluar një video-konferencë me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim.
Mësohet se në fokus të këtij takimi ka qenë Gjendja e vështirë ekonomike e disa familjeve shqiptare si pasojë e COVID-19, si dhe ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat Hajdari i ka cilësuar si anti-Kushtetuese, dhe që ka deklaruar se nuk do t’i votojë.
Hajdari ka qenë personalisht e angazhuar për të ndihmuar familje në nevojë, duke u dërguar pako me ushqime bazë, për t’ua lehtësuar sado pak karantinimin. Për këtë arsye, ajo ka informuar Kim edhe për situatën e vështirë ekonomike të këtyre familje, ku nuk ka nguruar për ta falenderuar për ndihmat që SHBA-ja ka dhënë për Shqipërinë në këto ditë të vështira.
“Kënaqësi të bashkëbisedoja nëpërmjet video-konferencës me Ambasadoren amerikane Znj. Yuri Kim, mbi situatën e tanishme në Shqipëri. E informova për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen shumë familje shqiptare, realitet të cilin e kam prekur këto ditë teksa jam munduar të ndihmoj sado pak këto familje në nevojë.
Gjithashtu shpreha shqetësimet e mia për gjendjen emergjente nga COVID-19, mbi ndryshimet e Kodit Penal, të cilat janë të panevojshme e sidomos përmenda faktin se këto ndryshime cenojnë Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjeta rastin të falenderoja ambasadoren për kontributin e SHBA-së, me pajisje personale të mbrojtjes nga programi për Asistencë Humanitare i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e punonjësve të shëndetit në vijën e parë të luftës kundër COVID-19″, shkruan Hajdari.