Hajdari i kthehet Spiropalit: Të të vijë turp që fyen artistët! Kërko falje!
Deputetja Rudina Hajdari ka replikuar me ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar.
Spiropali tha se Teatri duhet të shembet, dhe se ata që protestojnë nuk janë artistë, por disa politikanë, që sipas saj, janë talluar gjithë jetën.
Lidhur me këtë, Hajdari tha se Spiropalit duhet t’i vijë turp që fyen artistët dhe duhet ta tërheqë deklaratën, duke u kërkuar falje atyre.
“Duhet t’ju vijë turp që fyeni artistët. Të isha në vendin tuaj do e tërhiqja atë fjalë dhe do kërkoja falje. Sa i përket sistemit, a e kuptoni që në këtë Parlament nuk bëhet asgjë për shqiptarët, a e kuptoni që Parlamenti është kthyer në pazare vetëm për biznesmenët, me të cilët rrini çdo ditë. Është bërë ky Parlament një lavatrice e pastrimit të parave. Ndryshimi i sistemit duhet të jetë i atillë, që qytetarët shqiptarë të jenë të përfaqësuar këtu, dhe jo vetëm vullneti i kryetarit tënd”, tha Hajdari.