Hajdari-Ramës: Je i lodhur, të ka ikur koha. Kryeministri: Je e freskët, nuk të ka ardhur koha

Kryeministri Edi Rama dhe deputetja demokrate Rudina Hajdari janë përfshirë në një debat gjatë seancës parlamentare.

Hajdari i kërkoi kryeministrit Rama që të tërhiqet nga ligji për median, duke i thënë se i ka ikur dhe është lodhur 6 vjet në pushtet. Por me ironizëm Rama i përgjigjet se është e freskët dhe akoma nuk i ka ardhur koha, duke theksuar se ligji per mediat do te miratohet.

Hajdari: Ajo që më vjen keq është se Edi Rama del në podium dhe flet gjatë gjithë kohës për arritjet në qeveri. Mendoj se nuk është momenti të merreni me këtë. Mendoj se duhet të jeni më pak zemërgjerë dhe të shikoni përtej kabinetit tuaj qeveritar. Duhet ti falënderoni shqiptarët dhe jo qeverinë tuaj. Nëse ka njeri që sot vuan më shumë sesa ju nga shpifjet, nga goditjet që ju bëhen nga mediat janë shqiptarët që ju kaloni në këtë parlament. Rama ju nuk do dilni më të fortë nga ky tërmet. Unë e di që krizat përdoren për të përforcuar pozicionet e një qeverie. Ju kërkoni që nëpërmjet kësaj katastrofe të bëheni më të fortë, por koha juaj vërtet ka mbaruar. Ju e shikoni vetë, jeni lodhur. Jeni lodhur se keni 6 vite ne qeveri. Keni 6 vite që flisni pa limit, shpikni çdo gjë, çdo platformë për të bërë propagandë.

Rama: Nëse do ta përmblidhja replikën me një fjali do ti referohesha avokat Ngjelës që në këto raste do thoshte “Amanet mushkat”. Por unë dua të them pak më shumë se kaq. Së pari më nxore mallin e liderit legjendar të partisë tënde të vjetër që dikur e përdorte atë fjalën “je i lodhur ka ikur koha jote”. Ju jeni e freskët zonja Hajdari, koha juaj nuk ka ardhur akoma, por nuk është kjo mënyra për të bërë politike të re, siç ju pretendoni dhe aq më tepër nuk është mënyra për të bërë politikë të re duke mos lexuar ligjin për të cilin merr përsipër të flasësh, sepse qartësisht nuk e ke haberin fare të ligjit që ne sot do ta miratojmë. Megjithë keqardhjen që nuk ta plotësoj dot dëshirën që të tërhiqem urgjent sikurse na bëni thirrje.

…..

Ndërkohë që flet e mban fjalime për diçka që nuk e di je viktima tipike e gjësë për të cilën ligji merr masë.

Ngrihesh e më tregon putinizmin dhe erdoganizmin. Kur po të them që nuk ke haberin fare se për çfarë flet.. ky ligj krahasuar me vendet e BE është limonadë. Ndërkohë që flet e mban fjalime për diçka që nuk di je viktima tipike e gjësë për të cilën ligji merr masë. Mos më trego as BE as Këshillin Europian se këtu nuk flas përralla siç flet ti.

Po hajde dil këtu e na thuaj hiqni këtë e vini këtë. Ka një vit që jemi marrë me këtë. Ke dalë të na thuash ndonjë ide si politikane e re e Shqipërisë së re?! Ke ndonjë ide të re si bëhet? Hajde na e thuaj.. e folura në hava njësoj si ata tek dera?!

Ti je deputete si mund të dalësh e të flasësh në hava. Si qenka kjo që unë shpif gjithë ditën, nga e nxorre këtë?

Do ta votojmë ligjin zonja Hajdari tani. Mos ia lejo vetes të bëhesh qesharake.

SHKARKO APP