Hakmarrja ndaj Ahmetajt fillon me pronat, më pas duket arrestimi
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj është në ditët më të vështira. SPAK-u i ka sekuestruar edhe një vilë në zonën e Hamallajt, në kuadër të hetimeve për ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. Po sot, për llogari të hetimit të nisur, është sekuestruar një vilë tjetër në zonën e Palasës.
SPAK-u ka dyshime se vila i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por sipas burimeve, vila rezulton e regjistruar në emër të një personi tjetër. Ahmetaj është nën akuzë për katër vepra penale: “shpërdorim detyre”, “korrupsion”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”.
Kurse pak ditë më parë, Agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesën e partneres së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij. Në banesën e ish-bashkëshortes nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm.
Reagimet nga opozita nuk kanë munguar. Sali Berisha thotë se ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria, si dhe thekson se sipas tij ka dokumente të pakundërshtueshme se Rama i ka bërë presion të firmosë për inceneratorët. Berisha vijon sulmet ndaj Edi Ramës duke thënë se është përgjegjësi kryesor që dha fondet për sipërmarrjet e inceneratorëve.
Por SPAK-u po përgatit edhe kërkesën për heqjen e imunitetit të deputeti Ahmetaj.