Hakmarrja e ulët e Besës së Ramës ndaj ”Udhës së Shkronjave”
Nga: Luçiano Boçi
Vendimi arbitrar i Ministrisë së arsimit për heqjen e licensës shkollës jopublike “Udha e Shkronjave”, për shkak të masës parandaluese që Bordi drejtues i saj ndërmori ndaj rrezikut të koronavirusit, është vazhdim i shpalosjes së arrogancës, paaftësisë dhe padijes që sundon brenda saj. Shto këtu dhe dhunën fizike që inspektorët e saj kanë ushtruar ndaj drejtuesit të shkollës, e kupton fare mirë që degradimi i këtij institucioni ka arritur pikën maksimale.
Hakmarrja e ulët e Besës së Ramës, është pasqyrë e gjendjes së rënduar të një qeverisje që ka humbur cdo arsye dhe kontroll. Ministria e Arsimit duhet të kishte një reflektim serioz ndaj masës së marrë nga kjo shkollë, e mirënjohur për cilësinë e saj dhe jo të kalonte në vendime absurde dhe ekstreme. Së paku të rishikonte futjen e edukimit shëndetësor si pjesë të ekstra kurrikulës.
Situata të tilla të rrezikut të pandemisë, apo të rreziqeve të tjera, duhet t’i gjejë nxënësit të përgatitur e të pajisur me njohuritë bazë. Këshillat shëndetësore nuk mund të qarkullojnë si spote publicitare. Në mungesë të këtij edukimi, në mungesë të masave qeveritare, vendimi i Bordit të shkollës duket i drejtë. Se sa e përgjegjshme është qeveria,për masat parandaluese, mjafton vetëm një fakt ilustrues skandaloz:
Dje janë ulur nga Italia fqinje, e kontaminuar nga koronavirusi, 19 avionë përfshirë linjat tranzit me pasagjerë që dhe kur i është bërë testi sporadikisht, i është matur temperatura me…dorë, nga një staf i dorës së dytë. Ndërkohë, shumë vende kanë ndërprerë fluturimet me Italinë si Zvicra apo dhe Rumania. Mos vallë duhet pritur përhapja e pandemisë që Udha e shkronjave e bashkë më të, të gjithë ne, të parandalojmë pastaj udhën e vdekjes? Të paudhët e qeverisë duhet të tërheqin mbrapsht heqjen e licencës ndaj së Udhës së Shkronjave.
*Ish-deputet i PD-së