Halim Kosova: Fondet do të mbërrijnë në destinacion

Kandidati i djathtë për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të zonës së Tufinës, ku foli për projektet e tij që do të sjellin përmirësimin e jetës, por dhe për parimet e qeverisjes, si transparenca e mbikëqyrja.

“Kam hasur probleme, kam shtrënguar duar, që të dyja palët do të mbikëqyrim çdo lloj pune që bashkia do të bëjë, çdo lloj projekti që do të jetë për ju. Secili nga ne do të bëjmë që të gjitha fondet, të gjitha projektet që do nisen nga Bashkia e Tiranës në drejtimin tuaj, të mos bëhen sebep për të prodhuar ndonjë shtëpi apo vilë rrugës, por të gjitha të vijnë 100% aty ku ju keni nevojë. Dhe askush nuk më pengon mua për t’i ndjekur hap pas hapi, bashkë me ju, që ato lekë erdhën tek ju apo jo”, tha Kosova.

Ndërkaq, ai nënvizoi se do të jetë rigoroz dhe nuk do të tolerojë shkeljen e kontratave dhe afateve. “Kush nuk zbaton afatet, kokërr leku nuk ka për të marrë nga unë. Ka ardhur koha, që banorët e Tiranës të vlerësojnë njeriun e sprovuar, njeriun me provë, njeriun e ndershëm dhe jo njeriun partiak të fallsifikuar, të parafabrikuar dhe që i jepet qytetarëve jo për t’u shërbyer atyre”, tha Kosova.

Gjatë fjalës së tij, Kosova u ndal tek programi i tij për të krijuar lehtësi për biznesin.

“Harmonizimi i të gjithë mundësive që biznesi ka dhe nevojat e qytetarëve janë në tavolinë, do të bëj që Bashkia e Tiranës, apo unë në krye të Bashkisë së Tiranës, të kem mundësinë për të gjetur një rrugë të përbashkët midis kontributit për biznesin dhe plotësimit të nevojave të familjarëve”, shtoi Kosova.
Sakaq, kandidati i djathtë u ndal tek plani e tij për të siguruar transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Kemi planifikuar tre numra falas në mënyrë që t’i vëmë nën kontroll të gjitha shërbimet që Bashkia do të ketë në dispozicionin tuaj dhe duke i vënë në kontroll, kontrolli i përbashkët do të bëjë që çdo njeri që do të jetë përkrah meje dhe unë personalisht do të marrë duartrokitje nga ju, ose do të marrë fishkëllima. Duartrokitjet apo fishkëllimat do të jenë orientuese, çfarë po bëj mirë dhe çfarë duhet rregulluar”, nënvizoi Halim Kosova.

SHKARKO APP