Halim Kosova: Ia shtrij dorën e bashkëpunimit Ramës

 

Ndërkohë që kryeministri Edi Rama vazhdon deklaratat e tij se kandidatët e opozitës e duan votën për të mos bashkëpunuar me qeverinë, kandidati i PD për Tiranën, Halim Kosova, bëri këtë deklaratë gjatë takimit me taksistët.

“Kam qenë 15 vjet drejtues i një spitali, që e nisa me 2 spitale bashkë, ku kam ndërruar kryeministra të të gjitha forcave politike, kam pasur lidhje pune me ministra të shumë forcave. Prioritet ka qenë dhe do të jetë bashkëpunimi me çdo lloj force politike, siç e kam bërë në shëndetësi për të mirën e pacientit deri tek qytetari sot. Nuk më vjen zor t’i shtrij dorën e bashkëpunimit çdo lloj force politike për të mirën tuaj,” tha Kosova.

Një ditë më parë një qytetar iu drejtua Kosovës në Shkozë me këto fjalë: “Edvini nuk do japë lekë, do ju bllokojë prapë, siç bllokoi Bashkinë. Ne pretendojmë që të kemi investime në shkolla, spitale, rrugë, kopshte, çerdhe, ujësjellësa e të tjera. Ai i bllokoi. Siç ia bllokoi këtij tjetrit, do t’i bllokojë edhe ty”.

“Unë nuk kam kohë për debate dhe nuk kam kohë për replika. Pse? Shumë thjesht. Sa të bëj një replikë, mendoj një zgjidhje. E dyta, z. Rama e ka shprehur publikisht respektin më të madh për punën time. Unë nuk jam konkurrent i Ramës. E thashë edhe njëherë e po e them prapë, konkurrent është Basha, ata të dy luftojnë për qeverinë. Kështu që ky problem është mëse i ezauruar dhe ai vetë e di që për Tiranën më mirë do shkojë puna me mua se me ndonjë tjetër duke ditur aftësitë e mia, këtë ta keni të sigurtë”, u përgjigj Kosova.

SHKARKO APP