Halimi: Në Kavajë janë shtuar fiktivisht 595 votues

 

Partia Demokratike vijon akuzat ndaj mazhorancës dhe kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi për tentativën e manipulimit të zgjedhjeve në këtë bashki, përmes rritjes së votuesve në mënyrë fiktive.

"Kryetari në ikje i kësaj bashkie brenda 12 ditëve ka importuar fiktivisht të paktën 595 votues nëpërmjet 194 kontratave fiktive të nënshkruara personalisht prej tij në kundërshtim flagrant me ligjet dhe detyrën publike që mban ende.

KQZ po ashtu ka dërguar në prokurori dosjen e plotë të kësaj skeme kriminale me gjetjet e auditit të këtij institucioni, prova që gjenden pranë zyrave të Gjendjes Civile Kavajë nën mbikqyrjen e vetë personit të akuzuar për krijimin  kësaj skeme.

Ekspertët e Partisë Demokratike kanë mbledhur këto ditë të dhëna të reja që vërtetojnë plotësisht se procesi për importimin e zgjedhësve për 3 muaj nga kryetari në ikje i Bashkisë së Kavajës, me mbrojtje të plotë nga Kryeministri, është tërësisht fiktiv", tha deputeti Eduard Halimi.

Ai shtoi se sipas 194 kontratave të nënshkruara në 12 ditë nga kryetari në ikje i Bashkisë Kavajë, rezulton se 194 familje kanë lënë shtepitë e tyre dhe janë shpërngulur për të banuar vetëm 3 muaj në këtë ngrehinë që tregohet në foto.

"Emrat e familjeve nuk i bëjmë publike për shkak të ruajtjes së të dhënave personale.

 Por të gjitha fiktivisht sipas Kryetarit në ikje të Bashkisë Kavajë jetojnë këtu.

Foto dhe dëshmi do ju dorëzohen sot edhe prokurorisë edhe institucioneve ndërkombëtare.

Rasti i Kavajës dhe Durrësit, ku kryetarët në ikje të Bashkive kanë importuar zgjedhës është treguesi më i qartë se të dy e dinë shumë mirë vullnetin e qytetarëve për ti larguar njëherë e mirë në 21 qershor, ndaj dhe kanë krijuar të dy skema kriminale për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Në emër të Partisë Demokratike i kërkoj edhe një herë me forcë Prokurorisë së Përgjithshme të kryejë hetime të shpejta dhe efikase në mënyrë që të ndalojë që në 21 qershor të votohet me lista fiktive apo të manipulohet vullneti i zgjedhësve.

Listat e zgjedhësve në Kavajë me të pakten 595 votues fiktivë duhet të bllokohet bashkë me të gjithë praktikat e ndjekura, duke mos i lënë mundësi organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij krimi elektoral të deformojnë dhe prishin provat e krimit.

Partia Demokratike paralajmeron Kryeministrin dhe kandidatin e tij të tërhiqen menjëherë nga ky krim elektoral dhe kjo skemë e ndodhur në Kavajë. Skemat kriminale që synojnë manipulimin e rezultatit zgjedhor shkatërrojnë procesin e zgjedhjeve të lira dhe për këtë ka dhe do të ketë vetëm një pergjegjës: Kryeministrin Edi Rama", tha Halimi.

SHKARKO APP