Hallkat e domosdoshme të procesit të auditimit
Nga Aulona Jonuzi*
Në Kontrollin e Lartë të Shtetit, procesi i zbatimit të rekomandimeve kryhet për cdo vit dhe ka për qëllim verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga KLSH, në subjektet e audituara dhe përcaktimin e shkallës së zbatueshmërisë së tyre. Ai konsiderohet si hallka e 4t e procesit të auditimit (pas planifikimit, auditimit në terren dhe raportimit). Cdo praktikë e auditimit në sektorin publik, është e destinuar të mbart mangësi/të meta, nëse në të nuk përfshihen proceset e njohura të “folloë-up”-it. Nëse qasjet e auditimit e kushtëzojnë veten deri në zbulimin e parregullsive, duke mos treguar më tej asnjë potencial zhvillimi, në përfundim këto qasje do të reduktohen në një teknikë institucionale jo –kreative. Madje mund të konkludohet se, qëllimi final i synuar nga auditimi i jashtëm publik ka gjasa të humbasë, nëse rekomandimet e lëna nuk ndiqen me efektivitet (që do të thotë monitorim dhe angazhim maksimal deri në zbatimin e plotë të tyre).
Fokusi i këtij shkrimi është zbatueshmëria e masave disiplinore, si element i rëndësishëm dhe me ndikim në përmirësimin e sistemit të menaxhimit financiar në tërësi, pasi lidhet pikërisht me nxjerrjen e përgjegjësive individuale për shkeljet e konstatuara dhe dhënien e masave në raport me to.
Gjatë procesit të verifikimit të zbatimit të rekomandimeve, mbi auditimet e KLSH-së, t kryera përgjatë 3 mujorit të fundit të vitit 2016 dhe 6 mujorit të parë të vitit 2017, u konstatua se masat disiplinore janë dhënë në referencë të shkeljeve: në fushën e prokurimeve; ose në procedurat e dhënies me qera; apo mungesës së koordinimit të kërkesave individuale për projektet në zhvillim me strategjitë institucionale të zhvillimeve rajonale dhe sektoriale që kanë sjellë favorizim të projekteve, të cilat nuk kanë rezultuar me ndikim në interesat e shtetit; etj. Në disa raste, titullarit të institucionit i është lënë në kompetencë vlerësimi, nxjerrja e përgjegjësisë dhe dhënia e masave disiplinore në raport me shkeljet e konstatuara, ku na ka rezultuar se në ato raste kur vendosja e masës është lënë në dorë të titullarëve, ose nuk është vepruar për zbatimin e rekomandimit; ose në rastet kur është vepruar janë ngritur komisione disiplinore brenda institucioneve respektive, të cilat në fakt kanë marrë vendimin “Ndërprerje e ecurisë disiplinore”. Në të dy skenarët e ndjekur (pra si në rastin e mosveprimit ashtu edhe në atë të veprimit) rezultati ka qenë i njëjtë: Nuk është dhënë asnjë masë disiplinore.
Është paksa paradoksale të mendosh që nga njëra anë pranohen rekomandimet mbi shkeljet për të cilat kërkohet edhe marrja e masave disiplinore, ndërsa nga ana tjetër nuk veprohet për zbatimin e rekomandimeve mbi marrjen e masave disiplinore, ose ecuria disiplinore vendoset të ndërpritet. Gjithë sa më sipër do të thotë që pranohet të ketë parregullsi, por përgjegjësia mbetet kolektive.
Nëse komisionet disiplinore vendosin ndërprerje të ecurisë disiplinore, a do të thotë kjo që rekomandimet e KLSH-së nuk qëndrojnë? E nëse po, sa gjasa ka që në pothuajse të gjitha rastet kur vendosja e masave disiplinore lihet në dorë të titullarëve, ose ecuria disiplinore është ndërprerë ose nuk është vepruar fare?
Çështja merr rëndësi të veçantë pasi nëpërmjet këtyre masave, synohet të kërkohet marrja përsipër e përgjegjësisë individuale për kryerjen e një shkeljeje me apo pa dëm ekonomik. Në fakt “paraja” është vetëm një nga matësit e rëndësisë, por jo domosdoshmërisht më i rëndësishmi. Në këtë kontekst, kur bëhet fjalë veçanërisht për rekomandime në sektorë kyç, ose me impakt të lartë në mjedis, apo në cilësinë e jetës së qytetarëve, apo të ngjashme si këto, ndjekja e zbatueshmërisë së tyre kërkon angazhim maksimal nga SAI dhe nga audituesit, si dhe vëmendje të veçante sidomos ndaj rekomandimeve kyçe për të arritur rezultatet e dëshiruara.
Në këto kushte, praktikat e GAO-s na shërbejnë më së miri, duke na udhëzuar se pikërisht në këto raste kërkesa për zbatimin e rekomandimeve duhet të ngrihet në mënyrë progresive në nivele më të larta menaxheriale[1].
KLSH si një institucion që aplikon Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI-të, si edhe tërësisht e hapur ndaj praktikave më të mira të fushës, e konsideron zbatimin e rekomandimeve si pjesë organike të procesit të auditimit. ISSAI 12 “Vlerat dhe Përfitimet e SAI-eve – bërja e ndryshimit në jetët e qytetarëve” , konsideron SAI-n si një aktor udhëheqës në sistemin menaxhimit financiar në tërësi, përtej roleve dhe përgjegjësive tradicionale të tyre. Është interesante se si ISSAI 12 e trajton “auditimin e jashtëm publik” si një faktor të rëndësishëm që sjell ndryshimin në jetën e qytetareve. Edhe në këtë dokument theksohet rëndësia e ndjekjes së rekomandimeve ku parashikohet se, SAI duhet të ketë mekanizma për ndjekjen e rekomandimeve.
Në vijim, parimi i 3-të, që GAO ndjek përgjatë zbatimit të rekomandimeve “Aplikim i kujdesshëm i një monitorimi të shëndoshë dhe i sistemit “folloë-up”, parashikon se, audituesit duhet të sigurohen që subjektet të kenë sisteme “folloë-up”-i që përmbushin në mënyrën e duhur përgjegjësitë themelore të tyre për zgjidhjen dhe zbatimin e rekomandimeve të lëna.
Po në referencë të praktikave të SHBA-ve, përgjegjësia e agjencive për të implementuar rekomandimet buron pikërisht nga Ligji për Kontabilitetin dhe auditimit, i cili daton që më 1950[2], i cili citon se, përgjegjësia primare për përmirësimin e operacioneve, ku nevoja për këtë të fundit diktohet nga puna audituese, mbetet brenda menaxhimit të vetë agjencisë.
Në përfundim, gjykoj se sado i lartë të jetë niveli i angazhimit të SAI-t në procesin e zbatimit të rekomandimeve, zbatueshmëria e plotë e tyre kërkon njëkohësisht angazhim po aq të lartë edhe nga subjektet e audituara, sepse duhen të dyja anët, për të ngritur “ura të forta” sigurie dhe besueshmërie në funksion të përmirësimit të jetëve të qytetarëve.
E nëse angazhimi i këtyre të fundit nuk mjafton për të zbatuar rekomandimet e auditimit të jashtëm publik, atëherë kërkesa për zbatimin e rekomandimeve duhet të ngrihet në nivelet më të larta menaxheriale. Aty ku mungon angazhimi ndividual, duhet një vullnet që buron nga lart-poshtë, gjithëpërfshirës e detyrues. Aktualisht mungesa e nxjerrjes së një Urdhri nga Kryeministri mbi dhënien e një vlere detyruese zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së riskon të favorizojë antikulturën e pandëshkueshmërisë.
*Kryeaudituese, KLSH[
KOHA JONË SONDAZH

