Hapën zjarr ndaj policisë në Morinë, dënohen 7 shtetas të huaj që trafikonin klandestinë
Gjykata e Posaçme ka dhënë verdiktin për një nga grupet më të rrezikshme të trafikut të klandestinëve që vepronin në Shqipëri dhe Kosovë. Shtatë shtetas të huaj janë shpallur fajtorë për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë tentativën e vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit, trafikimin e emigrantëve dhe armëmbajtjen pa leje, duke u dënuar me masa që variojnë nga 8 deri në 35 vite burg.
Ata akuzohen se më 25 maj 2023 hapën zjarr ndaj policisë kufitare në Morinë, gjatë një operacioni për kapjen e personave të armatosur, duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve dhe banorëve të zonës. Dënimet më të rënda janë dhënë për Sultan Grimash, Ayoub Bahhoo, Muhammed Radën dhe Muhammed Shehab, të cilët u dënuan secili me nga 35 vite burg, për tentativë vrasjeje të punonjësve të policisë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, trafik armësh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Ndërkohë, të pandehurit e tjerë, Muhammed Nasir, Nagid Alabdalah dhe Rabi Lqadi, u dënuan me masa që variojnë nga 8 deri në 12 vite burg.
Grupet kriminale bashkëpunonin me rrjete të tjera në Greqi, Turqi, Kosovë, Serbi dhe Gjermani, duke organizuar kalimin e paligjshëm të emigrantëve drejt vendeve të BE-së. Një pjesë e tyre rezulton se kanë jetuar në Shqipëri që prej vitit 2019, duke përdorur identitete të rreme për t’i shpëtuar drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH

