Hapet gara për kryehetuesin e Shqipërisë, Shkëmbi: Synoj BKH-në

Kreu i njësisë “Forca e Ligjit”, Artan Shkëmbi, është zyrtari i parë i policisë që pranon se do të hyjë në garën për drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Shkëmbi pranoi që po përgatit dokumentacionin për t’iu përgjigjur thirrjes për t’u bërë pjesë e specialëve që do hetojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërkohë, në garë flitet se do hyjë edhe shefi i antiterrorit, Gledis Nano.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, hapi garën për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pretendentët kanë afat deri në datën 30 janar për të dorëzuar formularët. Në këto formularë konkurrentët duhet të raportojnë veç CV-së edhe të dhëna personale sikurse ngjyra e syve, ngjyra e flokëve dhe pesha. Ndërkohë, kreu i SPAK, Arben Kraja, mendon se Byroja Kombëtare e Hetimit që do të bashkëpunojë me Prokurorinë Antikorrupsion nuk është një punë vetëm për burrat, por edhe për femrat. Në mesazhin e drejtuar garuesve, Kraja mbajti parasysh barazinë gjinore.

“Ne duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për Drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, ka thënë Arben Kraja.

SHKARKO APP