Hapet qendra e re multifunksionale në Librazhd, ministrja Koçiu: Mbi 70 shërbime të integruara në 61 bashki

Në Librazhd u përurua qendra e re multifunksionale me mbështetjen e World Vision. Në cermeoninë e përurimit ishte e pranishme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe kryetari i bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha. Ministrja Koçiu tha se “falë bashkëpunimit me pushtetin vendor, kemi arritur të shtrijmë mbi 70 shërbime të reja sociale të integruara në 61 bashkitë e vendit’.

“Ne po punojmë sa më shumë që të kemi qendra që i kushtohen sidomos fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuar. Besoj ky është shembulli perfekt se si bashkëpunimi mes pushtetit vendor, qeverisë dhe organizatave partnere bën histori suksesi si kjo qendër”, theksoi Koçiu. Ajo u shpreh se në qendër aktualisht marrin shërbim 30 fëmijë, ndërsa ky numër pritet të rritet. Qendra do të ofrojë shërbime psiko-sociale dhe mjekësore, si dhe shërbim të integruar lëvizës, duke mbështetur komunitetin në mënyra të ndryshme.

“Në Qendrën Komunitare Multifunksionale në Librazhd, do të trajtohen fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, të cilët do të mbështeten me shërbime fizioterapie dhe logopedie, si dhe prindërit/kujdestarët e tyre me aktivitete zhvillimore për fëmijët e tyre”, u shpreh Koçiu.  30 stafe mjekësore dhe 30 punonjës të shërbimit psiko-social në Librazhd do të trajnohen mbi fazat e zhvillimit të fëmijëve dhe shenjat e hershme të aftësisë së kufizuar, si dhe si të punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara.

SHKARKO APP