Hapja e shkollave/ Vokshi: Ministria të marrë modelin italian. Mësimi online alternativë e fundit
Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka folur sërish për hapjen e shkollave dhe për mungesën e publikimit të udhëzuesit nga Ministria e Arsimit apo Shëndetësisë. Ajo thotë se kjo duhet të ishte detyra e Ministrisë gjatë verës, për t’u marrë me udhëzuesin dhe starategjinë dhe planin. Vokshi kërkoi nga qeveria që t’i referohet Italisë që ka një udhëzues të detajuar tashmë dhe ka marrë të gjitha masat për rihapjen e shkollave.
”Kemi disa ditë që reagojmë për atë që nuk ka plan. Është vetëm një datë, 14 shtator si fillim i vitit shkollor. Shahini dhe Manastirliu dështuan për detajet. Sot është 19 gusht, jemi 3 javë e gjysëm para fillimit të vitit të ri shkollo ku më shumë se 600 mijë fëmijë i drejtohen dyerve të shkollave, por s’ka udhëzim. Si do veprohet në shkolla. Ministria gjatë gjithë verës duhet të ishte marrë me këtë punë.
Të studionte mësimin online, që tani ra, pra këto janë shqetësimet që kemi ngritur ne. Ditët e fundit kemi marrë me dhjetëra telefonata, e-mail, mesazhe nga mësues e prindër të shqetësuar, anksiozë, se nuk e dinë çdo bëhet. S’ka gjë më të shtrenjtë se jeta e fëmijëve. Ky është shqetësimi im dhe i PD. Do e denoncojmë çdo mosreagim të qeverisë. Prindërit pothuajse të gjithë janë që fëmijët të shkojnë në shkolla. Pikërisht, sepse unë jam prind vetë dhe pavarsisht se shpenzova shumë më tepër orë me vajzat për mësim online. Mësimi online duhet të jetë alternativa e fundit.
Të plotësohen ato që kërkon PD, por shumë shkolla nuk kanë ujë të rrjedhshëm në shkolla, sapun, higjiena është kryesorja. Si mund ta çosh fëmijën në to. Ka disa javë që ministri i arsimit në Itali, që ka dhënë udhëzuesin e detajuar. I është shpërndarë gjithë shkollave, prindërve dhe fëmijëve. Janë masat që duhet të marrin Bashkitë, institucionet arsimore etj. Kush është arsyeja që MASR nuk ka shifra, sa është sipërfaqja totale e ambienteve të brendshme apo të jashtme shkollore, sa nxënës janë? Fare mirë modeli Italian mund të aplikohet këtu”.