“Hapje 100 % të listave, jo hapje të pjesshme siç kërkon Rama”, Maliqi: Dil nga bunkieri i Surrelit, të vijnë valët atje?

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur pas mbledhjes me aleatët duke treguar dhe qëndrimin e Opozitës së Bashkuar në lidhje me ndryshimet Kushtetuese që sipas Edi Ramës kanë të bëjnë me hapjen e pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë, ku sipas formulës së propozuar nga socialistët, vetëm 40 deputetë nga 140 vende që ka Kuvendi do futen përmes listave të hapura. Nga oborri i selisë blu, Basha tha se Opozita e Bashkuar është për hapjen 100 % të listave, dhe jo hapje të pjesshme siç kërkon Rama, dhe me kushtin që koalicionet të qëndrojnë kështu siç janë dhe përllogaritja e mandateve të vazhdojë siç është. Qëndrimi tha Basha do të shtrohet në Këshillin Politik.

Nisur nga kjo sfidë e hapur që kryedemokrati Basha i bëri Edi Ramës ka reaguar edhe deputeti i pavarur Lefter Maliqi.

“Ku je trimi i Xha Jahos? Dil nga bunkeri i Surrelit, të vijnë valët atje? E dëgjove opozitën e bashkuar që janë të gatshëm për hapjen e listave 100%. Ju të opozitës së re, meqënëse kemi firmosur në bllok të 39 për hapje listash 100%, çdo bëni? O votoni hapjen e listave 100%, ose tërhiquni nga marrëzia e piktorit dështak e frikacak për hapje të pjesshme të listave. Thirreni piktorin meqënëse ju dëgjon dhe ju takon sa herë që e kërkoni, është dakort me ju për hapjen e listave 100%? Tregoni veten që s’jeni të kapur, s’jeni të përdorur nga ai, shuani zërat dhe dyshimet për ju, në të kundërt, nëse votoni ndryshimet kushtetuese me lista të pjesshme, jeni turpi i shqiptarëve jeni shtojca e Rilindjes së krimit. Ramzi boll përdore djallëzi, dil nga vrima ku je futur dhe prano listat e hapura 100%. Zgjidh demokracinë apo diktaturën. Ti je i fortë i ke të gjitha pushtetet, atë lokal, ekzekutiv, legjislativ, plus krimin, plus oligarkët dhe s’ke pse ke frikë. Mezi po të presim o trim të pranosh listat e hapura. Po deshe hajde konkurro në Berat me lista të hapura se e ke të sigurt fitoren meqënëse ua bëre ishullin turistik të famshëm me varka e lundrime në Osum”, thekson deputeti Lefter Maliqi.

SHKARKO APP