Haradinaj: Kosova të procedojë me Asociacionin në këmbim të garancive për anëtarësim të përshpejtuar në NATO

Prishtina dhe Beogradi ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër mbi hapat që do të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve e që potencialisht do të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Por, në këtë drejtim nuk është shënuar asnjë përparim. Çështja e Asociacionit të komunave serbe duket se mbetet një nga pikat e nxehta të debatit dhe Prishtina e Beogradi fajësojnë njëra tjetrën për mungesën e përparimit.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, i cili vizitoi së fundmi Kosovën dhe Serbinë tha se pret nga Kosova që ta dërgojë projekt-statutin mbi Asociacionin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ndërsa theksoi se ky mekanizëm nuk krijon një shtresë tjetër pushteti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, bie dakord se projekt-statuti duhet dërguar në gjykatë, por ai tha se situata aktuale, nuk është e lehtë për Kosovën, për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet, si garanci për zbatim të tyre.

Zoti Haradinaj propozon që Kosova të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian si kundërvlerë për procedimin me Asociacionin, garanci për anëtarësimin e përshpejtuar të vendit në NATO.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj pyetje të drejtpërdrejtë, a duhet qeveria e Kosovës të çojë projekt-statutin në Gjykatën Kushtetuese?

Ramush Haradinaj: Po duhet, por Asociacioni është diskutuar gjatë dhe dikur ka qenë kundërvlerë e njohjes nga Serbia, pra kundërvlerë, Kosova procedon me Asociacionin, Serbia e njeh Kosovën. Tani kemi një situatë jo të lehtë për Kosovën për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet që ka ra dakord ashtu siç ka kërkuar qeveria e Kosovës dhe kryetari i qeverisë. Por edhe pse është kështu kjo situatë, unë do të kisha vepruar si vijon; kisha kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundërvlerën e veprimit me Asociacionin me anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Pra procesin deri në NATO edhe si mundësi, sepse askush nuk mund ta garantojë që në një periudhë kohore të tillë deri kur do të ndodhë kjo për shkak të katërshes jonjohëse. Unë do të kisha vepruar në kontratë bilaterale me SHBA-në e do të kisha vepruar me të gjitha obligimet e dialogut në mënyrë që të arrijmë NATO-n.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët edhe çështjet e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, a ka të drejtë qeveria që kërkon që këto marrëveshje të nënshkruhen si garanci për zbatimin?

Ramush Haradinaj: Ka të drejtë, por nuk duhet ta bllokojnë në tërësi. Është e logjikshme të kërkosh nënshkrimin e një marrëveshjeje mes palëve sepse edhe ashtu është një lloj garancie më e avancuar. Mirëpo, nëse pala, në këtë rast Serbia ka qëndrim se nuk dëshiron të marrë përgjegjësi me nënshkrim, atëherë si kundërvlerë qoftë e nënshkrimit sepse është më pak nënshkrimi i (Aleksandar) Vuçiçit si kundërvlerë me dërgu Asociacionin në Gjykatë Kushtetuese, sesa një premtim i Shteteve të Bashkuara se po vepruat me Asociacionin ju hapet mundësia, nuk po them që ju garantohet, por ju hapet mundësia e anëtarësimit të përshpejtuar në NATO. Unë do të kisha vepruar pa e pritur Serbinë dhe (Aleksandar) Vuçiçin, pa e kushtëzuar me nënshkrimin e Serbisë dhe Vuçiçit. Kisha vepruar në një marrëveshje, marrëdhënie kontraktuale ose një plan disa pikësh ku do të ishte edhe Asociacioni, si të mbërrijmë tek anëtarësimi në NATO.

Zëri i Amerikës: Ju e keni përmendur vazhdimisht rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Por, javën e kaluar ambasadorja amerikane në NATO Julianne Smith, duke folur mbi dëshirën Kosovës për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe, tha se përparimi në procesin e bisedimeve me Serbinë është thelbësor për proceset integruese të Kosovës. Si mund të arrihet përparim në këtë drejtim? Ju duket sikur po shtoni edhe kërkesa të tjera, ndërkohë që ka dy marrëveshje që kanë parashikuar se cfarë duhet të bëjnë palët.

Ramush Haradinaj: Kam një pajtim me ambasadoren, por edhe një dallim. Pajtimi është se po, dialogu është rruga përpara. Dallimi është ky: Partneriteti për Paqe u është ofruar vendeve ish-komuniste, armiqve të NATO-s dhe të Amerikës, si lloj transformimi i doktrinës, i strukturës, ç’armatosje, zhdukje e armatimit të lindjes ose rus, e kështu me radhë. Kosova nuk ka nevojë për Partneritet për Paqe, sepse nuk ka të bëjë fare me Lindjen. Është ushtri e re e krijuar nga NATO-ja dhe Amerika. Është vend i ri me Kushtetutë e ligje euro-atlantike. Kosova e ka situatën shumë të pastër për anëtarësim direkt në NATO, në rast të vullnetit politik të anëtarëve të NATO-s, në këtë rast edhe të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë dhe Greqisë. Unë nuk kërkoj të na lënë në radhë në Partneritet për Paqe. Unë kërkoj anëtarësim direkt në NATO, si në rastin e Finlandës dhe Suedisë. Po, duke i kryer të gjitha detyrat edhe nga dialogu. Pra, çdo detyrë të dialogut, çdo obligim që i ka dalë Kosovës edhe Asociacionin. Por, jo vetëm kaq, por duke kryer detyra tjera që janë kushte e standarde për t’u anëtarësuar në NATO. Këtë e kam shprehur në vazhdimësi. Unë nuk besoj që Kosova duhet të kërkojë Partneritet për Paqe. Kanë ikur shumë vite, kanë ndodhur shumë procese, ka ndryshuar bota. Nuk kemi kohë të qëndrojmë në radhë të Partneritetit për Paqe. Është urgjent anëtarësimi në NATO.

Zëri i Amerikës: Me siguri e keni diskutuar me aleatët amerikanë këtë çështje. Çfarë reagimi keni marrë prej tyre?

Ramush Haradinaj: Në rast se Kosova përmbush përgjegjësitë e veta mundësia ekziston. Ekziston mundësia e anëtarësimit direkt në NATO.

Zëri i Amerikës: Por a është ky momenti duke pasur parasysh se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë të acaruara, marrëdhëniet e Kosovës me aleatët janë të ftohura, ndërkohë Shtetet e Bashkuara janë para zgjedhjeve dhe Kosova është para zgjedhjeve?

Ramush Haradinaj: Për shembull diçka që është mrekulli edhe që nuk ka ndodhur është se marrëdhëniet ushtri – ushtri nuk janë rrezikuar nga këto që kanë ndodhur, nga këto zhvillimet politike, nga sjellja e kryeministrit tonë që nuk ka qenë në rregull, pra edhe unë i kam kritikat e mia. Nuk janë rrezikuar edhe disa marrëdhënie të tjera thelbësore dhe vlerësimi për planin dhjetë vjeçar për ushtrinë tonë megjithatë ekziston. Pra, Kosova është e gatshme të hyjë në NATO. Por, çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërrojë kursin politik. Ky kurs politik nuk mund të ndryshojë pa e ndryshuar qeverinë, pa e ndryshuar (Albin) Kurtin i cili është shkaktar i një marrëdhënieje humbëse. Ne po humbim nga marrëdhëniet me Amerikën, është pritur me shpresë ardhja e presidentit (Joe) Biden si njohës i çështjes shqiptare, si senator i angazhuar dikur për çështjen shqiptare dhe nuk kemi nxjerrë asnjë përfitim nga presidenti Biden për katër vite. Faji është tek ne, faji është tek Kurti, tek qeveria e tij. Mirëpo Kosova nuk do të jetë çdo herë në status quo, unë besoj në ndryshimet edhe politike, por unë besoj edhe në kornizën edhe në marrëveshjen që duhet të arrijë Kosova me SHBA-në jo vetëm më si dialog, por si anëtarësim në NATO. Edhe një herë e përsëris, pra pa dashur t’i ikim detyrimit, asociacioni ka qenë çështja kryesore si kundërvlerë e njohjes. Nuk e marrim njohjen, pra nuk na e jep Serbia njohjen, Serbia jo vetëm njohjen, por nuk e jep as nënshkrimin për këto marrëveshje, atëherë ju lutem, ne duhet të kthehemi nga partnerët tonë, që të mos i zhgënjejmë pra me zbatim, por të kërkojmë gjithashtu kundërvlerën e Asociacionit, mos ta quaj të tërën tregti, por kundërvlera e ecjes përpara duhet të jetë NATO-ja.

Zëri i Amerikës: A mendoni që rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë një ndikim tek vendi juaj, tek zhvillimet në vendin tuaj?

Ramush Haradinaj: Kosova, populli i Kosovës dhe shqiptarët e duan Amerikën, e duan flamurin, nuk e kanë lidhur me administrata asnjëherë. Kuptohet në vitin 1999 Presidenti Clinton, Sekretarja Albright, Gjenerali Clark ishin vendimtarë për ne të asaj kohe, por ne e duam Amerikën dhe sido që voton Amerika ne jemi për bashkëpunim me të. Ka të tillë që përhapin edhe agjenda të tjera, por unë besoj që shqiptarët, të qenit pro amerikan e kanë pasurinë më të madhe dhe duhet ta kultivojnë me fanatizëm.

Zëri i Amerikës: Një pyetje të fundit, me 9 shkurt të vitit që vjen Kosova do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme. Çfarë strategjie po ndjek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për këto zgjedhje, cili është synimi juaj?

Ramush Haradinaj: Ne kemi bashkuar rreth vetes edhe disa forca të tjera politike, Nismën, Konservatorët, Intelektualët. Synojmë t’i fitojmë zgjedhjet, synojmë të udhëheqim qeverinë e vendit, pra ofrohem si kandidat për kryetar të qeverisë. Agjenda është e qartë pra, pastrimi i tavolinës në gjithë çfarë ka mbetur në marrëdhënie dhe rikthimi në marrëdhënie kontraktuale me Amerikën. Nëse nuk arrij ta udhëheq unë qeverinë, do të mbështes qeverinë e udhëhequr nga njëri prej ne opozitarëve dhe ofrohem për bashkëpunim për një shumicë me opozitën në Kosovë.

SHKARKO APP