Harito: Administratë të konsoliduar dhe të qëndrueshme për të shmangur problemet si në vendet fqinje

 

Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito apeloi për krijimin e nje administrate të qëndrueshme dhe të konsoliduar, e cila do të mundë të shmangë problemet që shfaqen sot në rajon.

“Pa një administratë publike të qëndrueshme, të gjithë e dimë që vullneti politik nuk është i mjaftueshëm. Vullneti politik është ai që i shtyn gjërat përpara, por administrata publike është ajo që i bën gjërat të rezistojnë në kohë. Ndoshta një pjesë e problemeve të rajonit dhe aktualiteti që shohim në fqinjin tonë vinë edhe nga fakti që administratat tona nuk janë aq të konsoliduara sa duhet të ishin”, theksoi Harito.

Në vijim ministrja për Inovacionin dhe Administratën paraqiti masat e marra sidomos në shërbimin civil.

“Kemi marrë një sërë hapash të rëndësishme në radhë të parë në reformën e shërbimit civil. Shërbimi Civil në Shqipëri deri në 2013 përbëhej nga 3000 vetë, nga 90 mijë që ka administrata publike.

Me reformën që filluam ta implemetojmë që në fillim të 2014, numri i atyre që tashmë janë nëpunës civil në administratën shqiptare arrin në 16 mijë. Puna ka qenë shumë e madhe për të integruar gjithë këta persona.

Në pjesën dërmuese të tyre personat që kanë qenë në pozicionet e tyre kanë integruar shërbimin civil, janë shumë pak ata që nuk plotësonin kushtet dhe për të cilët janë marrë masa të veçanta për t’iu lënë dhe njëfarë kohe për të integruar shërbimin civil”.

Lidhur me rekrutimet, Harito tha se mekanizmat e rinj e kanë bërë kë proces më transparent, por që ka hasur në mjaft rezistencë nga ana e vetë institucioneve.

“Elementi i dytë shumë i rëndësishëm i reformës është pjesa e rekrutimeve. Kemi ndërtuar një mekanizëm rekrutime që tashmë është i gjithëpranuar, nuk lejon vend për abuzime siç ndodhte më parë. Pra kishim përpara një shërbim civil, por drejtuesit e institucioneve përzgjidhnin mes 3 kandidatësh dhe subjektiviteti në rastin më të mirë, por shpesh herë politizimi ose arsye të tjera prevalonin, ishte shumë e vështirë ta kontrolloje.

Me mekanizimin e ri, procedurat janë transparente dhe online, nuk ka më pirgje letrash që humbin zyrave.

Renditja e kandidatëve përcakton prej tyre se ku ata do të shkojnë të punojnë dhe nuk janë më drejtuesit e institucioneve ata që përzgjedhin një kandidat apo një tjetër. Ka larguar çdo mundësi që drejtuesit e institucioneve të ndërhyjnë në përzgjedhjen e kandidatëve.

Ka qenë reformë shumë e vështirë sepse ka të bëjë me ndryshim mentaliteti, ka pasur shumë rezistencë nga ana e institucioneve”.

Harito vuri theksin edhe perfeksionimi i administratës publike, që siç tha jo rrallë herë është bërë pengesë për ekonominë dhe biznesin në vend.

“Nuk ka zgjidhje tjetër përveç mirëmenaxhimit në këtë situatë. Nëse punonjësit nuk kanë detyra të qarta, një plan veprimi të qartë për detyra që u ngarkohen dhe trajnimet përkatëse në mënyrë që të plotësojnë detyrat që kanë është e pamundur që administrata të funksionojë në mënyrë të plotë, korrekte dhe të jetë ajo që duhet të jetë në fakt, të jetë sistemi i qarkullimit të gjakut për ekonominë shqiptare.

Të gjithë e dimë që një pjesë e madhe e pengesave që mund ti shkaktohen ekonomisë dhe biznesit vinë nga administrata publike për shkak të paaftësisë, herë pas here mungesës së dëshirës për punë, për shkak të korrupsionit në rastin më të keq.

Të gjitha këto kërkojnë një menaxhim të mirë që përcaktohet nga këto rregulla të cilat vendosen nga Departamenti i Administratës Civile dhe implementohen prej tij.

Ky binjakëzim do të na ndihmojë pikërisht në këtë drejtim”.

Duke pranuar se shërbimet që marrin sot qytetarët në zyrat e shtetit nuk janë në cilësinë e duhur, Harito tha se bashkë me partnerët europianë po punohet që shërbimet të ofrohen në qendra të përbashkëta

“Shërbimet publike që ofrohen sot në dyert e shtetit nuk janë në cilësinë e duhur, qytetarëve u duhet shpesh herë të sorollatren nga një derë në tjetrën, janë të paqartë për mënyrën sesi duhet të marrin shërbimin. Në bashkëpunim me parnerët europiane dhe BB kemi filluar prej një viti një reformë të madhe të shërbimeve publike ku të gjithë shërbimet e shtetit do ofrohen gradualisht në mënyrë të integruar në qendra të përbashkëta”.

SHKARKO APP