Hartohet strategjia për tërheqjen e bizneseve dhe tregjet ndërkombëtare në Shqipëri
Gara për tërheqjen e investimeve të huaja është kthyer në një garë të fortë mes vendeve të Ballkanit.
Por Shqipëria ende nuk ka një profil të qartë për të orientuar biznesmenët mbi mundësitë që kanë për të investuar.
Ky fakt pranohet në draftin ‘Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2021-2027, i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Përmes saj parashtrohen tre objektiva specifike për zhvillimin e Shqipërisë si destinacion investimesh.
Pika kryesore synon tërheqjen e investimeve për zhvillim ekonomik dhe nxitjen e integrimit në tregjet ndërkombëtare.
Sipas dokumentit ka ende një mungesë të zonave të përshtatshme dhe operacionale në Shqipëri, çka përbën një barrierë të madhe, ndaj nevojat duhen orientuar.
Si një pikë tjetër e rëndësishme konsiderohet dhe zhvillimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, sipërmarrja dhe inovacioni me një vëmendje kryesore ndaj ideve më inovative duke u fokusuar në sektorët me potencial më të lartë.
Në draft propozohet që të ketë më shumë skema të granteve për bizneset e vogla dhe të mesme por edhe instrumente të tjera financimi.
Ministria e Financave rendit si objektiv edhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Raporti thekson se ndërmarrjet vihen shpesh në sfidë si pasojë e mungesës së punonjësve të specializuar pasi nuk kanë burimeve për të investuar në trajtimin e tyre.
Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për zbatimin e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve kap vlerën e 78 milionë eurove dhe fianncimi do të realizohet nga disa burime, ku kryesori mbetet buxheti i shtetit, fondet e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore dhe mbështetja financiare e donatorëve.