Hasan Aliajt, zërit të “Rrënjëve”, i është akorduar Medalia e Mijëvjeçarit nga Komuna e Grottaferratës dhe Komiteti i Mijëvjeçarit në Manastirin e San Nilo
Nga Albert Vataj
Në një kohë kur identiteti kulturor dhe kujtesa historike shpesh mbeten në periferi të vëmendjes, ka individë që i japin kuptim qëndrueshmërisë dhe përkushtimit ndaj rrënjëve. Njëri prej tyre është Hasan Aliaj – publicist, gazetar dhe drejtues i gazetës “Rrënjët”, i cili së fundmi është nderuar me Medalinë e Mijëvjeçarit nga Komuna e Grottaferratës dhe Komiteti i Mijëvjeçarit në Manastirin e San Nilos. Ky vlerësim i rrallë, që i është dorëzuar në një ceremoni solemne nga kryetari i bashkisë, z. Di Bernardo, nuk është thjesht një çmim për një figurë, por një shenjë nderimi për një mision të gjatë në shërbim të kulturës arbërore dhe kujtesës shqiptare. Ai shënon një kthim simbolik dhe shpirtëror në vendin ku nisi gjithçka – në ambientet e Manastirit të San Nilos, aty ku u ngjiz edhe ideja e gazetës “Rrënjët”.

Hasan Aliaj është një emër i njohur në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare në diasporë, themelues dhe drejtues i gazetës kulturore “Rrënjët”, që prej vitit 2003 boton në Romë. Përmes kësaj gazete, ai ka mbajtur të gjallë një mision të rrallë: ruajtjen, promovimin dhe dëshmimin e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore në trojet shqiptare dhe në diasporë. “Rrënjët” është bërë një platformë ku studiues, shkrimtarë, historianë e dashamirës të identitetit kombëtar kanë gjetur hapësirë për të ndarë punën e tyre. Ajo është vlerësuar në disa rrafshe, përfshirë çmimin “Gazeta më e mirë e vitit” nga Akademia Alternative Pegasiane në vitin 2017.

Së fundmi, Hasan Aliaj ka ndarë një tjetër arritje me ngarkesë të thellë emocionale dhe simbolike. Përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook, ai bëri të ditur se nga Komuna e Grottaferratës dhe Komiteti i Mijëvjeçarit në Manastirin e San Nilos, i është akorduar Medalia e Mijëvjeçarit, një vlerësim i admirueshëm për nga përmbajtja dhe rëndësia që mbart.
“Ky çmim më ktheu pas në kohë”, shkruan Aliaj, “në shekullin e kaluar, kur takoja me mall murgjit arbëreshë në ambientet e Manastirit të San Nilos dhe frekuentoja vazhdimisht dy bibliotekat e pasura me materiale dhe dorëshkrime të vjetra. Po në këto ambiente me rëndësi të madhe, nëpërmjet murgjve arbëreshë, u njoha për herë të parë me ritin bizantin.”
Kujtimet e Aliajt nuk janë vetëm nostalgji personale, por edhe dëshmi për gjurmët e padukshme që Arbëria dhe diaspora arbëreshe kanë lënë në formimin kulturor dhe shpirtëror të shumë brezave. Në fakt, Manastiri i San Nilos nuk është vetëm një hapësirë monastike, por një qendër e rëndësishme e dialogut ndërkulturor, ku gjurmët e kulturës arbëreshe ruhen me përkushtim.

“Pikërisht këtu nisi edhe rrugëtimin e saj gazeta Rrënjët, ku në çdo numër janë botuar dhe vazhdojnë të botohen shkrime dhe studime të ndryshme historiko-kulturore për Manastirin, Arbërinë, Grottaferratën, si dhe për historinë e hershme, nga antikiteti e deri në ditët e sotme, të atdheut tim të dashur, Shqipërisë.”
Në një akt që bashkon simbolikën e së kaluarës me nderimin e së tashmes, Hasan Aliaj përmbyll rrëfimin e tij duke kujtuar momentin kur kryetari i Bashkisë së Grottaferratës, z. Di Bernardo, i dorëzoi medaljen.
Ky çmim nuk është thjesht një njohje personale për Aliajn, por një nderim për të gjithë ata që kanë punuar në heshtje për të mbajtur të gjalla rrënjët tona – përmes fjalës, përmes kujtesës dhe përmes përkushtimit ndaj atdheut.
KOHA JONË SONDAZH

