Haxhinasto: Altin Toska, alternativa e vetme për Cërrikun

Zhvillimi i bujqësisë përmes lehtësirave nga pushteti vendor do të jetë fokus i bashkisë së re të Cërrikut, zotimi u bë nga kandidati i ASHE para banorëve të Gostimës. Altin Toska mori dhe mbështetjen e ministrit Edmond Haxhinasto.

Kandidati i ASHE për bashkinë e Cërrikut  Altin Toska, i shoqëruar nga Ministri Edmond Haxhinasto bashkëbiseduan me banorët e fshatit Gostime. Haxhinasto vlerësoi programin e ofruar nga kandidati Toska për zhvillimin e zonave rurale, duke e cilësuar alternativë të vetme për të pasur një zhvillim të fshatit lënë në harresë nga keqqeverisja e vendorëve në vite.

“Duan ujësjellësin, duan punë, duan qendrën shendetësore më të mirë, duan që në Cërrik të jetë shkolla më e mirë profesionale e bujqësisë, duan që të punojnë fason që do sjellë Altini , duan që të jetojnë si europianë, prandaj të gjithë do të votojnë Altinin”, tha ai.

Altin Toska premtoi se Bashkia e re do të ofrojë punësim për të gjithë banorët, nëpërmjet bashkëpunimit me firma të huaja, për prodhimet bujqësore, si edhe do sistemohet infrastruktura rrugore.

“Punësimin do ta realizojmë duke ju krijuar dhe kushte më të mira në infrastrukturën bujqësore sic është hapja e aktiviteteve të agrobiznesit të përpunimit të produkteve bujqësore  që të maksimalizojmë të gjithë frutin e punës tonë dhe të mos i shesim produktet bujqësore poshtë kostos së vet”, tha kandidati.

Një ndër zotimet para fermerëve të gostimës nga kandidati i ASHE për Cërrikun ishte dhe  sistemimi i kanaleve kullues dhe vaditës.

SHKARKO APP