Hekuran Billa u ndoq në tre qytete para se të vritej, nipi i Prelës mohon akuzat: Po takoja një vajzë

I riu i arrestuar për vrasjen e Hekuran Billës ka mohuar se në zonën e Komunës së Parisit ndodhej për të raportuar lëvizjen e 40-vjeçarit, teksa është shprehur se ndodhej për punët e tij. Hetuesit kanë arritur në përfundimin se automjeti i përdorur nga i riu gjatë momentit të ekzekutimit është automjet të cilin ia kishte marrë një të njohuri, i cili pas marrjen në pyetje ka dhënë emrin e të riut.

Policia dhe prokuroria janë duke kryer verifikime dhe hetime për zbardhjen e vrasjes së Hekuran Billës. Krahas kryeqytetit policia është dislokuar dhe në qytetin e Shkodrës ku po kryen verifikime dhe hetime.

Burime nga policia bëjnë me dije se kërkimet janë fokusuar në zonën e Shkodrës, pasi Hekuran Billa 5 ditë para ekzekutimit ka hyrë në Shqipëri nga pika kufitare me Malin e Zi, ku dyshohet se është ndjekur.

Ndjekja ka vijuar dhe në kryeqytet dhe në Durrës, për të mbërritur tek vrasja të enjten e javës së shkuar.

Në Mal të Zi sot u arrestua Viktor Marku, vëllai i Prel Markut të vrarë në vitin 2006 nga Hekuran Billa në Angli, i cili dyshohet se ka hartuar planin e hakmarrjes për vrasjen e të vëllait.

Më herët policia shqiptare ka arrestuar nipin 22-vjeçar.

I riu u identifikua nëpërmjet qelizave telefonike në zonë dhe nga kqyrja e kamerave të sigurisë.

Kjo makinë e cila parkohet pak minuta para ngjarjes në komunën e Parisit rezulton se drejtohej nga Sebastian Mali.

Ky automjet tip “Audi” figuron në pronësi të një personi tjetër që është marr në pyetje nga hetuesit dhe ka treguar që makinën e tij e kishte marrë i riu.

Deri më tani nga verifikimet e hetuesve bëhet e ditur se 22-vjeçari Mali i ka qëndruar pranë makinës së atentatorëve, duke u ndjekur ata.

I riu është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, teksa ka mohuar akuzat duke pretenduar se ndodhej në zonë për punët e tij, pasi do takonte një vajzë.

Sebastian Mali u arrestua pasditen e të merkurës në zonën e Parkut të Autobusave, në afërsi të një servisi makinash, ndërsa pritet që gjatë fundjavës të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

Prej ekzekutimit të 40-vjeçarit policia ka shoqëruar disa persona si të dyshuar bashkëpunëtor në vrasjen e Billës.

Mes të shoqëruarve janë disa persona nga Shkodra, të afërt të familjes Marku.

Pista kryesore për vrasjen e Billës është ajo e hakmarrjes që lidhet me ngjarjen e Anglisë.

I njohur dhe me emrin Hernald Bilali, Billa në fillim të vitit 2020 kishte hapur dhe një biznes të tij.

Ndërsa një javë më parë ai u ekzekutua me armë me silenciator me rreth 30 plumba, një prej të cilëve e kapi në kokë dhe një në trup. / Ora News

SHKARKO APP