Helikopterët e ushtrisë hedhin thasë me rërë në argjinaturën Shkumbinit

Helikopterë të ushtrisë kanë nisur pak çaste më parë hedhjen e thasëve me rërë në vendin ku është çarë argjinatura e lumit Shkumbin, në zonën e Cermes. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, që ndodhet në Lushnjë, në një prononcim të saj, shprehu angazhimin e plotë të forcave të ushtrisë shqiptare në përballimin e situatës së përmbytjeve, të shkaktuar nga reshjet e shumta të ditëve të fundit.

“Prej dy ditësh trupa të ushtrisë janë në terren, duke nisur nga qarku i Dibrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit dhe Lushnjës. Janë angazhuar 300 forca të ushtrisë, dy helikopterë, 28 mjete transporti, katër gomone, dy motovedeta dhe dy varka, ndërsa punojnë pa pushim tre motopompa.

Nga zona e Babrrusë janë evakuuar deri tani 36 familje, ndërsa në evakuimin e 190 personave nga zona e Katundit të Ri janë përdorur helikopterët”, raportoi ministrja Kodheli.

SHKARKO APP