Helikopterët u blenë 78 milion euro nga qeveria Berisha

Helikopteri i rrëzuar sot në Shkodër është blerë nga kompania franceze EuroCopter. Marrëveshja me kompaninë është miratuar nga qeveria shqiptare më 4 shkurt të vitit 2010.

Sipas marrëveshjes, qeveria shqiptare do të blinte 5 helikopterë nga kompania, ndërsa në atë kohë u tha se kjo kishte ardhur si kusht i Francës për pranimin e Shqipërisë në NATO dy vite më herët.

Marrëveshja do të zbatohej për një periudhë 4 vjeçare, pra deri në fund të vitit 2013. Në atë kohë, kontrata ishte për helikopterë të llojit AS532 AL COUGAR nga versionet ushtarake të familjes Super PUMA, që do të thotë për terrene të vështira.

Shuma për blerjen e këtyre helikopterëve të cilësuar si super modernë ishte 78 milionë euro gjithsej. Vlera ishte e lartë për një vend të vogël si Shqipëria.

Në vitin 2014, qeveria shqiptare, kësaj here e drejtuar nga socialistët, rinovon sërish kontratën me kompaninë franceze. Ndryshimet e kontratës kishin të bënin me blerjen edhe të një helikopteri shtesë, pranë 6 tillë, por dy prej tyre do të ishin të llojit EC 145, njëri prej të cilëve u rrëzua dhe u shkatërrua sot në Shkodër, për fat të keq me dy viktima pas.

Në marrëveshjen e mëparshme ishte parashikuar blerja e vetëm një helikopteri të tillë, ndërsa në listë ishte një helikopter i cilësuar “Vip”, gjë që qeveria “Rama” e ktheu mbrapsht duke marrë një tjetër helikopter për emergjencat civile (EC 145).

Për helikopterët EC 145 do të paguhej një shumë prej 3.172.394 eurosh.

Në kontratën e mëparshme të qeverisë Berisha, garancia e fluturimit ishte 50 orë ose 12 muaj. Duke marrë parasysh se helikopteri i rrëzuar ka nisur fluturimet në Shqipëri nga muaji nëntor i vitit të shkuar, kjo i bie që helikopteri është brenda garancisë. Për fat të keq, jetët e humbura nuk mund të kthehen pas.

Një pikë tjetër e marrëveshjes ishte edhe trajnimi i 10 pilotëve të Shqipërisë, për të cilën vendi ynë do të paguante një shumë prej 375 mijë e 300 eurosh.

Ky nuk është aksidenti i parë i helikopterëve të kompanisë franceze. Një helikopter tip “Cougar” u rrëzua në Francë më 26 korrik të vitit 2012, duke shkaktuar vdekjen e 6 anëtarëve të ekuipazhit.

Helikopteri po bënte prova në Francë, ndërsa destinacioni i ardhshëm do të ishte Shqipëria. Helikopteri ishte parashikuar të vinte po në këtë datë në aeroportin e Rinasit, për të cilin do të organizohej edhe një ceremoni zyrtare.

eurocopter1

SHKARKO APP