Helmimi i gjimnazistëve/ Shahini në Fier: E patolerueshme, është krim
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka mbërritur në Fier për të parë nga afër gjendjen e gjimnazistëve. ”Kjo ka lidhje me një pajisje te përdorur nga nxënësit, edhe herën e parë edhe tani. Kanë dashur të bëjnë një sherr në shkollë herën por kjo tani është e patolerueshme, do marrim masat e nevojshme, do gjejmë ata që e bënë, do shohim kamerat dhe çdo gjë tjetër. Do marrim masa që mos të përsëritet më. Shkolla do të marrë masa ndaj nxënësve, për më tepër do flasë policia. Do kemi më shumë oficerë policie dhe më shumë kamera në shkollë”, tha Shahini në një prononcim pasi vizitoi nxënësit.
Dhjetëra nxënës të shkollës së mesme të përgjithshme u dërguan sot me urgjencë mesditën e së mërkurës si pasojë e problemeve në rrugët e frymëmarrjes. Burime brenda spitalit bëjnë me dije se në ambientet e shkollës është spërkatur me “gaz piper”.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që përsëritet e njëjta situatë. Herën e parë në spitalin e Fierit morën ndihmë mjekësore 7 nxënëse dhe 3 punonjëse, ndërsa sot numri i personave të dëmtuar, kryesisht nxënëse është disa herë më i madh, ndërkohë që zyrtarisht deklarohen vetëm 30.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mbarim të pushimit të madh në ambientet e brendshme të gjimnazit. Dhjetëra ambulanca transportuan me shpejtësi personat e dëmtuar ndërkohë që spitali i Fierit kërkoi ndihmë nga materniteti për infermierë dhe barrele. Pjesa më e madhe e personave me probleme shëndetësore janë larguar nga mjediset e spitalit pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.