Helmimi i maturantëve, infermierja: Qëndruan një orë në klasën me gaz
Maturantët e shkollës së mesme “Rifat Manjani” në Shupenzë të Bulqizës, gjatë orës së mësimit të së enjtes janë ndjerë keq dhe prej andej përfunduan të helmuar në spital. Një lojë e tyre rrezikoi të prodhojë një tragjedi. Infermierja e Spitalit të Bulqizës ka treguar për ”Report Tv”, se ata i kanë kërkuar mësueses të dalin jashtë por kjo e fundit nuk i ka lënë derisa ka parë një përkeqësim të gjendjes së tyre. Ajo tha se fëmijët kishin të njëjtat simptoma, si marrje mendsh, të vjella dhe dhimbje barku.
”Fëmijët erdhën tre të parët këtu, kishin probleme me frymëmarrje kishin dhimbje koke, të përziera. Ia matëm tensionin. Kishin rrahje zemra të larta. I nisëm në Peshkopi. Erdhën edhe katër të tjera ato i çuam në Bulqizë. Filluam mjekimin, njëra ishte më keq. Erdhën edhe të tjera. Nëna e njërës prej tyre tha se kishte dhimbje barku edhe të vjella. Kanë ardhur këtu edhe pasi kanë shkuar tek shtëpia. Kanë ardhur të tjerë edhe pas 9 të parëve. Fëmijët thanë se pasi ishin futur në klasë pas pushimit, ishin ndjerë keq. Mësuesja kishte qenë duke bërë mësim dhe i kanë kërkuar ta dalin jashtë por ajo nuk i kishte nxjerrë se kanë rregullat e veta. Kanë qëndruar për një orë brenda. Dikush thoshte që i dhimbte koka, dikus thoshte se i vinte për të vjellë. Derisa të dalin përgjigjet e analizave klasa do të qëndrojë e mbyllur”.
Prindërit e fëmijëve thonë se një mësuese i ka mbajtur në klasë pavarësisht aromës së rëndë. “Vetëm e morëm vesh që janë helmuar nxënësit, kërkuan vëllain tim në telefon se është shofer ambulance, ka kaluar me shpejtësi jam interesuar kam shkuar tek shkolla më thanë që janë helmuar. Mora vesh që ishin helmuar të dy fëmijët e të dy vëllezërve. Gjendja e tyre është jashtë rrezikut dhe kanë kaluar nga reanimacioni në pavion. Bëhet fjalë për një gocë që është më keq. Këto kanë qenë në pushim të gjatë, kur janë fut brenda kanë dëgjuar një erë të keqe. Ka hyrë mësuesja ka bërë mësim. Kur ka hyrë mësuesja tjetër fëmijët kanë ngel”. Policia ka mbyllur klasën ku ndodhi helmimi i nxënësve. Mësohet se Policia dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor kanë mbledhur provat për të zbuluar se çfarë solucioni është përdorur.
Prindërit kanë treguar se ngjarja ka ndodhur pas pushimit të gjatë dhe nxënësit kanë qëndruar në klasë për një orë, pavarësisht erës së rëndë. Pesë nxënës ndodhen në spitalin e Bulqizës, ndërsa tre të tjerë në spitalin e Peshkopisë. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor njofton se sapo është informuar për intoksikimin e nxënësve, ka nisur inspektorët në terren për gjetjen e shkakut të komplikacioneve tek nxënësit. Sipas njoftimit të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, “inspektorët kryen kontrollet përkatëse nga ku rezulton se një lëndë e shpërndarë në ajër ka sjellë vështirësi në frymëmarrje, të vjella dhe marrje mendsh tek nxënësit”. Në njoftim theksohet se “tetë nxënës kanë marrë shërbim në spitalet e Dibrës dhe Bulqizës. Në shkollë ndodhen mjekë dhe infermierë të qendrës shëndetësore Shupenzë, për të mbajtur nën vëzhgim nxënësit e tjerë në rast të komplikacioneve të mundshme”.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka marrë vendim për mbyllje të klasës deri në matjen e lëndës kimike në ambientet e saj nga ana e Institutit të Shëndetit Publik. Mjekë dhe infermierë të qendrës shëndetësore Shupenzë janë në gatishmëri për të mbajtur nën vëzhgim nxënësit e tjerë në rast të komplikacioneve të mundshme. Ky është rasti i disatë i helmimit masiv në Bulqizë. Në të njëjtin gjimnaz në nëntor 2017 funksionimi i keq i Kaldajës solli helmimin e 60 nxënësve.