Heqja e komisioneve për transfertat/ Sjell miliona euro kursime dhe nxit pagesat elektronike

Sot hyn në fuqi rregullorja e Bankës së Shqipërisë që heq të gjitha komisionet për transfertat bankare brenda vendit që do të kryhen përmes internetit ose telefonit celular. Kjo rregullore pritet të lehtësojë ndjeshëm kostot e qytetarëve dhe bizneseve, por gjithashtu t’i japë një shtysë të fortë përdorimit të pagesave elektronike nga shqiptarët.

Mbështetur në rregulloren e mëparshme, komisionet e transfertave bankare në lekë kanë vlera tavan deri në 500 lekë për transfertat e vogla deri në 1.5 milionë lekë, ndërsa për pagesat mbi 1.5 milionë lekë komisionet mund të shkojnë deri në 1500 lekë. Kursimet nga eliminimi i plotë i këtyre komisioneve për transfertat jo-letër mund të llogariten në rendin e miliona eurove.

Sipas informacionit zyrtar për komisionet bankare që raporton Banka e Shqipërisë, mesatarisht, komisioni mesatar i aplikuar nga bankat tregtare është rreth 400 lekë për transfertat me vlerë të vogël dhe rreth 1200 lekë për transfertat me vlerë të madhe. Që nga dita e sotme, kjo është kosto që shqiptarët nuk do ta paguajnë më për transfertat ndërbankare.

Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, ky në fakt ishte një vendim i parashikuar qysh më herët, për të nxitur rritjen e pagesave elektronike, por miratimi i tij u përshpejtua, për të lehtësuar pagesat e qytetarëve gjatë periudhës së kufizimeve për shkak të COVID 19.

Statistikat zyrtare tregojnë se numri i llogarive bankare të lidhura me internetin në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 442 mijë. Përdorimi i internet banking është rritur për të njëmbëdhjetin vit radhazi. Numri i transaksioneve përmes internetit vitin e kaluar ishte më shumë se 2.6 milionë.

Në muajin e fundit, vala e kufizimeve besohet se e ka rritur ndjeshëm numrin e përdoruesve dhe volumin e pagesave. Heqja e komisioneve krijon hapësira që e-banking të përdoret pa kosto jo vetëm për pagesat e faturave utilitare dhe për transfertat brenda bankës, por edhe për transferta drejt bankave të tjera. Kjo pritet të kursejë kohë dhe para për publikun, por edhe të reduktojë fluksin dhe radhët e krijuara pranë degëve të bankave.

/SCAN

SHKARKO APP