Heqja e telefonave, shefat e policisë-Veliut: Radiot nuk kanë valë
Urdhri i drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu për të hequr telefonat gjatë shërbimit për të shmangur dekonspirimin e operacionit është debatuar në mbledhjen me dyer të mbyllura në qytetin e Shkodrës.
Policia vendore e Shkodrës zhvilloi analizën një vjeçare të vitit 2019. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Ardi Veliu dhe zëvendës drejtori Gjovalin Loka. Disa shefa policie i kanë shprehur shqetësimin për ndalimin e përdorimit të telefonëve, duke thënë se në disa zona të largëta si Vau Dejsi por edhe të tjera radiot nuk kanë valë.
Kryepolici ishte i prerë në këtë diskutim duke thënë që në mënyrë absolute askush nuk duhet që ta përdor telefonin por vetëm radion e policisë për çështje pune dhe raportime të ndryshme policore.