Heqje patentash dhe gjoba majme, policia nxjerr pamjet. Ç’ndodhi natën në këto qytete

Policia Rrugore vijon planin operacional “ROADPOL GUSHT 2020” për shtimin e kontrolleve në akset rrugore bregdetare dhe në akset kombëtare, në zonat urbane, interurbane dhe ato rurale.

Këto kontrolle sipas policisë kanë si qëllim kontrollin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të automjeteve dhe mjeteve me dy rrota, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe të rritjes së parametrave të sigurisë në rrugë.

Shërbimet e DVP Korçë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec vijojnë kontrollet në të gjitha akset rrugore.

Gjatë orëve të mbrëmjes e deri në këto momente janë pezulluar 9 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Janë vendosur 5 masa maksimale për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj

Si dhe janë vendosur 25 masa për parakalime të gabuara, 12 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 13 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe 8 masa për mos vendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve.

Ndërkohë në zbatim të këtij plani operacional, në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë Rrugore të monitoruara nga Drejtoria e Policisë Rrugore vijojnë kontrollet e befasishme, me punonjës policie dhe mjete të uniformuara, por edhe me punonjës policie civilë dhe dronë, duke alternuar veprimet, për identifikimin e shkeljeve si parakalime të gabuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit apo mospërdorim të rripit të sigurimit, shkelje këto që kanë vështirësi për t’u konstatuar nga shërbimet fikse në pikat e kontrollit.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat të plotë reagim të shpejtë e profesional.

SHKARKO APP