Hera e parë që Kuvendi mblidhet në ditë të premte, ISP: Në seancë nuk do të jenë 140 deputetë

Më 10 shtator do të hapet legjislatura e re parlamentare. Sipas të dhënave të përpunuara nga Institutit të Studimeve Politike (ISP) për herë të parë kemi një parti politike, e cila i ka fituar mandatin e tretë radhazi. Pas 1997 dhe 2017 është hera e tretë që PS qeveris e vetme, pa pasur nevojë për aleatë politikë.

Mazhoranca aktuale ka të njëjtin numër mandatesh si më 2017, me dallimin se që në fillim ka mbështetjen edhe të 3 mandateve të PSD, duke pasur de facto 77 deputetë, 6 më shumë sesa mazhoranca e nevojshme për krijimin e qeverisë.

Në këtë legjislaturë vëmendje të posaçme merr debati mbi mandatin e ish-kryeministrit Sali Berisha, i përfshirë në listën e zezë amerikane. Interesant është fakti se në seancën hapëse nuk do të jenë 140 deputetë (nuk janë zëvendësuar nga KQZ disa nga ata që kanë dhënë dorëheqje), ndërkohë që deputetët duhet të deklarojnë përkatësinë në grupe parlamentare. Pritet që LSI (4) dhe PR (3) të ndihmohen nga PD dhe aleatët e saj të vegjël për të krijuar grup parlamentar. Nuk është e qartë ende nëse PS do të bëjë të njëjtin ritual me PSD (3).

Mbledhja e parlamentit me 10 shtator përputhet me përcaktimin kushtetues të mandatit të parlamentit të vjetër (4 vjet, në të njëjtën ditë). Kjo është hera e parë që parlamenti mblidhet në një ditë të premte, pasi më 1997 dhe 2017 është mbledhur në fundjavë dhe në pesë raste të tjera është mbledhur ditën e hënë, pra në fillim të javës.

SHKARKO APP