Heroi nga Vlora, Kapaj: Popullit tim do ti shërbej në çdo moment

Shefi zjarrfikëses së Vlorës, Luan Kapaj rrëfeu momente nga operacioni i shpëtimit të banorëve të mbetur nën rrënojat e pallatit 6 katësh në Durrës. Ai tha se shpëtoi dy jetë njerëzish, një burrë dhe një grua. Nga ana tjetër, ai shtoi se do rrezikojë jetën e tij për të shpëtuar jetën e të tjerëve.

”Popullit tim do ti shërbej në çdo moment të vështirë të jetës së qytetarit dhe do rrezikoj jetën time për të shpëtuar një jetë tjetër. Ka qenë një moment shumë i vështirë, 3 kate ishin rrafshuar. Kur njerëzit atje kërkonin ndihmë ishte e pamundur të mos u jepje ndihmë. Ishte një tunel ku mezi u futëm për ta shpëtuar atë njeri. Jo një por shpëtuam 2 jetë njerëzish. Një grua dhe një burrë. Kur dikush thoshte aman duam vetëm pak oksigjen ishte e pamundur të mos rrezikonim jetën tonë për ta shpëtuar atë njeri. Ishte fati i atij njeriu. Shpëtuam dy jetë njerëzish por fatkeqësisht lamë edhe dy vetë, që për mendimin tonë ishin të vdekur. E mbaruar detyrën deri në një moment kur nuk kishim mundësi të shkonim më tej. Do kthehemi sërish në Durrës, mbase i gjejmë të gjallë”.

Luan Kapaj dhe zjarrfikësit e tjerë u nderuan sot nga kryebashkiaku i Vlorës për kontributin e tyre në shpëtimin e njerëzve me titullin “Mirënjohje e qytetit”.

SHKARKO APP